Qeveria ka nxjerrë një plan të ri që synon familjen, strehimin dhe politikat sociale.

Sipas dokumentit, deri në vitin 2029 parashikohet ndërtimi i rreth 1,500 banesave me kosto të ulët, ndërsa ish-konviktet dhe pronat shtetërore do të përshtaten për banim social. Një element i ri është përdorimi i të ardhurave nga pasuritë e konfiskuara për të financuar programe të strehimit.

Paketa vendos në qendër familjet e reja, përmes subvencioneve dhe kredive të buta për blerjen e shtëpisë. Për personat me aftësi të kufizuara, qeveria premton dyfishimin e pagesave për fëmijët dhe hapjen e qendrave të reja për fëmijët në spektër autizmi, si dhe një strukturë të dedikuar për të rriturit.

Dokumenti përfshin gjithashtu programe për punësimin e grave dhe komuniteteve vulnerabël, me ngritjen e 20 ndërmarrjeve sociale në zonat rurale, ndërsa në bashkëpunim me bashkitë pritet shtimi i 40 shërbimeve të reja komunitare.

Një tjetër prioritet është mosha e tretë, ku synohet zgjerimi i kujdesit afatgjatë, asistenca në shtëpi dhe mbështetja psiko-sociale. Për herë të parë, planifikohet edhe një sistem digjital për menaxhimin e shërbimeve sociale, që do të garantojë transparencë dhe gjurmueshmëri.