Ministri i Financave, Petrit Malaj është shprehur ditën e sotme se në fund të vitit pritet të bëhet rishikimi i buxhetit të shtetit.

Në një konferencë për mediat ai u shpreh se ky akt normativ është i rëndësishëm për shkak se do të bëhet një vlerësim i ecurisë ekonomike. Gjithashtu, ministri Malaj u shpreh se me akt normativ do të përcaktojmë edhe bonusin e pranverës për pensionistët.

“Sa i përket rishikimit të buxhetit pritet që të ndodhë gjatë fundit të vitit. Ky është një akt shumë i rëndësishëm pasi do të duhet të bëjmë edhe një vlerësim të ecurisë ekonomike. Gjithashtu në këtë akt normativ do të përcaktojmë edhe bonusin e pranverës për pensionistët.

Sa i përket çështjes së rritjes së pagave në lidhje me ecurinë e tyre në sektorin privat nëse do të bëjmë një krahasim të tremujorit të tretë të vitit 2024 me atë të 2023 kemi një rritje prej rreth 3.5%. Sektori privat po e reflekton këtë trend rritës në paga. Unë besoj se do të jetë i detyruar të rrisë të njëjtin trend nëse do të dojë të mbetet konkurrues në tregun e punës”- tha ai.