Organizatat e komunitetit të biznesit në Shqipëri kanë shprehur rezerva lidhur me projektligjin “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, duke kërkuar rishikimin e disa prej elementeve kryesore të draftit, veçanërisht sa i përket anëtarësimit të detyrueshëm, tarifave dhe modelit të përfaqësimit të sipërmarrjes.
Në një qëndrim të përbashkët, të publikuar në kuadër të konsultimit publik për projektligjin e ripropozuar më 14 gusht 2026, organizatat vlerësojnë rëndësinë e dialogut institucional ndërmjet biznesit dhe institucioneve publike, teksa theksojnë se shqetësimet kryesore të ngritura më herët nga komuniteti i biznesit mbeten ende të paadresuara.
Një nga çështjet kryesore lidhet me parashikimin që çdo subjekt tregtar me status aktiv në Regjistrin Tregtar të bëhet anëtar i Dhomës Ekonomike Kombëtare “ipso lege”.
Organizatat argumentojnë se ky model duhet të rishikohet në raport me lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të organizimit, duke kërkuar që bizneset të kenë mundësinë të zgjedhin nëse dëshirojnë të anëtarësohen në një dhomë biznesi dhe në cilën organizatë duan të përfaqësohen.
Sipas qëndrimit të tyre, ekzistenca e dhomave bilaterale e multilaterale, shoqatave sektoriale, organizatave të investitorëve dhe strukturave të tjera vullnetare është pjesë e pluralizmit të përfaqësimit të sipërmarrjes dhe nuk duhet të dobësohet nga krijimi i një strukture kombëtare me anëtarësi automatike.
Organizatat kërkojnë gjithashtu qartësi mbi raportin ndërmjet detyrimit financiar dhe shërbimeve që do të përfitojnë bizneset. Sipas tyre, projektligji duhet të përcaktojë qartë shërbimet bazë që përfshihen në tarifën vjetore, kategoritë e përfituesve, standardet minimale të ofrimit dhe mënyrën e aksesimit të tyre.
Në qëndrimin e përbashkët kërkohet edhe qartësimi i raportit ndërmjet tarifës vjetore të regjistrimit, tarifave të veçanta për shërbime dhe financimit publik të funksioneve të deleguara.
Një tjetër kërkesë lidhet me kryerjen dhe publikimin e një analize të plotë të sistemit aktual të dhomave dhe përfaqësimit të biznesit. Organizatat vlerësojnë se një reformë e tillë duhet të mbështetet në të dhëna dhe evidencë mbi performancën e strukturave ekzistuese, përdorimin e shërbimeve nga bizneset, kostot e sistemit të ri dhe raportin kosto-përfitim.
Sipas tyre, duhet të analizohen edhe alternativa më pak kufizuese, përfshirë përmirësimin e modelit ekzistues pa vendosur anëtarësim të detyrueshëm, si dhe ndikimi i reformës së propozuar mbi organizatat ekzistuese dhe pluralizmin e përfaqësimit të sipërmarrjes.
Organizatat nënvizojnë gjithashtu nevojën që reforma të jetë në koherencë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe me parimet e ekonomisë së tregut, konkurrueshmërisë dhe forcimit të institucioneve që mbështesin sipërmarrjen.
