E ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Wake Up” ka qenë meteorologia e njohur, Lajda Porja, e cila zbuloi se si do të jetë parashikimi i motit për fundjavën dhe përgjatë muajit maj.
Porja u shpreh se i gjithë viti do të mbahet mend si më dinamiku dhe me kontraste të forta, kjo për shkak se nuk ka patur asnjë muaj që nuk ka përjetuar përgjatë një jave apo dhjet ditëve dy stinë.
Meteorologia tha se në muajin prill kemi patur dimër dhe pranverë, po ashtu edhe maji, ku nuk kanë munguar temperaturat e ulëta dhe të larta.
“I gjithë viti do të mbahet mend si më dinamiku dhe kontraste të forta. Nuk ka patur asnjë muaj që të mos përjetojmë edhe përgjatë një jave apo dhjetë ditëve dy stinë. Kemi patur dhe në prill dy stinë, nuanca të pranverës dhe me temperatura 28 gradë në 10 ditëshin e parë, pastaj fundi i prillit solli dëborë në zonat malore. Pra kemi patur dimër dhe pranverë. Muaji maj gjithashtu. Por mund të them se nëse bëjmë këtë krahasimin e majit që ne kemi përjetuar të paktën në 2-3 dekadat e fundit, ne kalonim menjëherë nga dimri me temperatura mjaft të larta. Përgjithësisht në maj kemi dalë direkt me mëngë të shkurtra dhe nuk na janë dashur xhupat. Ndërkohë kjo pranverë i ka patur prezente dhe duke patur edhe këtë kontrastin ose ndërhyrjen e stinëve mes njëra-tjetrës, ne kemi ende xhupin në garderobë.
Temperaturat kanë një luhatje shumë të madhe dhe anomalia më e theksuar është në mëngjes. Kemi temperatura që janë 3-4 gradë, në zonat malore, janë temperatura shkurti. Temperatura më e ulët që regjistrohet nëse flasim në kushte ideale maji e ka 8.8 gradë, Korça. Ndërkohë kemi patur edhe 3 gradë, madje fundjava e parë e majit që pati dhe dëborë, kemi patur vlera negative 0 dhe -1 në qarkun e Dibrës. Ndërkohë temperaturat maksimale që duhet të jenë 24-25 gradë, janë pak më të larta dhe normale 26-27 gradë.
Ka një diferencë shumë të madhe të dy ekstremeve, vlerave minimale dhe maksimale. Megjithatë nëse flasim në situatën e reshjeve, për nga ana klimatike, maji është relativisht më i thatë se marsi dhe prilli, por jo totalisht i thatë. Deri më tani edhe pse ne i kemi patur prezente, duke përjashtuar mbrëmë gjatë natës, reshjet kanë qenë të pakta. Pra kemi patur më shumë lagështirë, momente me pika shiu, vranësira, rrebeshe të izoluara në zona të caktuara. Por si sasi e reshjeve ende. Me reshjet që do bien dhe gjatë ditës së nesërme dhe reshjet që kanë rënë mbrëmë, do të ketë zona që do t’i afrohen kuotave mujore”, tha ajo.
“Këto luhatje janë normalitet i ri? Ka diçka këtu, nuk është normale, krahasimisht me periudhat e tjera. Kemi parë mot të keq në Itali dhe Turqi, çfarë po ndodh?”, e pyeti më pas Heidi Baci dhe meteorologia e njohur u përgjigj:
“Ne kemi shumë kohë që flasim për ndryshimet klimatike, kemi thënë që do të jenë më të shpeshta. Janë me të vërtetë shumë të shpeshta përderisa ne parashikojmë që brenda një jave ose dhjetë ditëve ne kemi dy stinë, brenda një jave ne përjetojmë pranverë dhe dimër. Skenari më i keq edhe tre stinë, që mund të përjetojmë dhe përmbytje. Italia kishte prej disa ditësh në javën e shkuar që përjetonte temperatura mjaft të larta dhe gjithë këto reshje që janë në pranverë, por që këto ciklone do të jenë prezente herë pas here dhe në verë, vijnë si pasojë e vranësirave konvektive.
Çfarë po ndodh? Ne aktualisht, në fillim ishim në ndikimin e një mase ajrore që ishte nga jug-jugperëndim, është një masë ajrore e ngrohtë, është e pasur me lagështirë, pra kemi dhe vranësira por që është dhe ajri i ngrohtë. Depërtoi një masë e ftohtë polare drejt Europës Qendrore, në veri të Italisë dhe më pas u fut dhe tek ne që dje, drejt Ballkanit. Italia apo Europa Qendrore, Zvicra, Gjermania, Franca kishin të paktën në javën e shkuar ose që nga fillimi i majit që kanë përjetuar 22-23 gradë, një mot shumë të nxehtë për zonat klimatike që përcaktohen. Aktualisht atje ka rënë dëborë, pra ka filluar dëbora që prej 3-4 ditëve në gjithë Europën Qendrore dhe në zonën e Alpeve.
Italia me temperatura kaq të larta të përjetuara pothuajse gjatë gjithë majit, u përball me këtë masën e ftohtë polare, e cila depërtoi menjëherë. Dhe zakonisht kur kemi përplasje të dy masave ajrore që janë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën, ‘lufta’ që bëjnë ata midis njëra-tjetrës, bëjnë se cila prej tyre do të jetë më e fortë për të mbizotëruar. Prandaj në këto raste ne kemi dhe fuqizimin ose zhvillimin e këtyre cikloneve”.

