Kreu i qeverisë, Edi Rama deklaroi në bashkëbisedimin me komentuesit në rrjetet e tij sociale se bonusi i pranverës për pensionistët nis që nga data 1 mars.

Rama u shpreh se bonusi i dytë për pensionistët është rezultat i reformave të kësaj qeverie. 

“Bonusi i pranverës për pensionistët nis më 1 mars. Bonusi i dytë për pensionistët është rezultat i reformave tona”, tha Rama.

Në rubrikën e tij të zakonshme të komunikimit me qytetarët, “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama foli edhe mbi çështje të rëndësishme si lufta kundër korrupsionit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe stabiliteti politik në vend.

Duke iu përgjigjur një prej komentuesve, Rama theksoi rëndësinë e fokusimit në reformat dhe rrugën drejt BE-së, duke lënë mënjanë “llumin e kënetës”, siç u shpreh ai.

“Sot duhet menduar si shqiptar. 4 ministra… nëse sot juve, ti Fatjon dhe ‘kua kua kua’, flisni për luftë kundër korrupsionit dhe për ministra apo njerëz të lidhur me pushtetin, kjo ndodh sepse këtë ditë e solli kjo ambicie dhe ky vizion për të hyrë në BE.”

Ai shtoi se rruga drejt anëtarësimit në BE është një proces i gjatë dhe sfidues, por thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë.