Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë një mot tipik pranveror me alternime të shpeshta.
Sipas parashikimeve nga SHMU, moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara herë pas here me kthjellime të përkohshme. Reshjet e shiut do të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit përgjatë vijës bregdetare, me intensitet kryesisht të ulët, duke vijuar deri në orët e mëngjesit.
Gjatë pjesës së dytë të ditës, reshjet e shiut pritet të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në zonën perëndimore nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra. Në mbrëmje, reshjet do të tërhiqen gradualisht, duke mbetur të pranishme kryesisht në jugperëndim të vendit dhe me intensitet të ulët. Në zonat malore, veçanërisht në Alpe, si dhe në verilindje mbi 700-900 metra dhe në lindje-juglindje mbi 900-1000 metra lartësi, priten reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me një shpejtësi mesatare prej rreth 7 m/s. Në lugina dhe përgjatë vijës bregdetare, herë pas here era mund të forcohet, duke arritur shpejtësi deri në 15 m/s. Ndërkohë, në detet Adriatik dhe Jon valëzimi do të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë.



