Dhjetori i vitit 2025 ka shënuar një rritje të fortë të lëvizjeve në pikat kufitare të vendit, duke reflektuar intensifikimin e udhëtimeve si nga shtetasit shqiptarë, ashtu edhe nga të huajt.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në këtë muaj, mbi 1.5 milionë persona kanë hyrë në Shqipëri, shifër më e lartë krahasuar me një vit më parë.

Rritja ka qenë e balancuar si nga shtetasit shqiptarë, ashtu edhe nga të huajt. Shtetasit shqiptarë rezultojnë të kenë hyrë në territorin shqiptar 844,147 herë, ndërsa 698,742 hyrje janë regjistruar nga shtetas të huaj.

Ndërkohë, bilanci i 12 muajve tregon një vit rekord për qarkullimin kufitar.

Nga janari në dhjetor 2025, në Shqipëri kanë hyrë gjithsej 20 milionë persona, 6.6% më shumë se në vitin 2024.

Gjatë gjithë vitit rezultojnë rreth 8 milionë hyrje nga shtetas shqiptarë dhe 12 milionë nga shtetas të huaj.

Sa i përket profilit të vizitorëve, ai mbetet qartësisht europian: 97% e hyrjeve të shtetasve të huaj kanë qenë nga Evropa, kryesisht Evropa Jugore, e ndjekur nga Evropa Perëndimore dhe Evropa Veriore.

Sipas qëllimit të udhëtimit, pjesa më e madhe e të huajve e kanë vizituar Shqipërinë për qëllime personale, pushime ose vizita tek të afërmit.