Buxheti i shtetit ka siguruar nga mbledhja e të ardhurave 306 mld lekë deri në fund të muajit maj. Në raport me vitin e kaluar janë afro 19 mld lekë më shumë, nxitur nga numri i shtuar i turistëve dhe kontributet e pagave.
Rritja e numrit të turistëve ka shtuar konsumin dhe rrjedhimisht, edhe të ardhurat në buxhet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në 5 muajt e parë të këtij viti në financat e shtetit janë futur rreth 306 miliardë lekë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 18.7 miliardë lekë apo 187 milionë euro më shumë, ndërsa niveli i suficitit rezultoi 40 miliardë lekë. Të ardhurat nga administrata tatimore për periudhën janar-maj 2025, u realizuan në shumën 111 miliardë lekë, me rritje vjetore 18% më shumë.
Arkëtimet nga TVSH-ja, të cilat janë tregues i drejtpërdrejtë i konsumit kanë pasur performancën më të mirë, me një rritje të regjistruar në 31.5% në raport me një vit më parë. Në total nga ky zë u mblodhën 30.5 miliardë lekë.
Po ashtu performancë të mirë kanë pasur të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, me një rritje prej 27%, ku janë mbledhur në total 34 miliardë lekë, ndikuar nga rritja e pagave dhe deklarimi i DIVA-s. Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore gjithashtu kanë pasur rritje me 8 miliardë lekë dhe janë arkëtuar 73.5 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 5-mujore, arritën në rreth 265.5 miliardë lekë me një realizim në masën 95.4% e planit të periudhës.


