Në tre muajt e parë të vitit 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë rritur ndjeshëm kërkesën për kredi pranë bankave. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në këtë periudhë janë marrë gjithsej 96.8 miliardë lekë ose 968 milionë euro kredi, një rritje prej 140 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pjesa më e madhe e rritjes është regjistruar në kreditë në valutë të huaj, që përbëjnë 40% të totalit. Kjo përkthehet në 386 milionë euro, nga të cilat 363 milionë janë në euro dhe 23 milionë në dollarë amerikanë, kundrejt 311 milionë eurove të dhëna në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Banka e Shqipërisë bën me dije se bizneset kanë kërkuar më shumë hua për shkak të nevojës për likuiditet dhe për të mbështetur investimet. Nga ana tjetër, qytetarët kanë aplikuar kryesisht për kredi banesash, të ndjekura nga kreditë për konsum.
Megjithatë, kjo rritje e kërkesës është shoqëruar me një qasje më të kujdesshme nga ana e bankave. Ato kanë rritur kriteret për miratimin e kredive, duke kërkuar më shumë kolateral dhe duke vendosur kushte më të forta në marrëveshjet e huasë, për shkak të frikës për një rënie të fuqisë paguese të kredimarrësve.
Pavarësisht këtij kujdesi, pritshmëritë janë që kërkesat për kredi të vijojnë të rriten edhe në tremujorin e dytë të vitit.
Kredia e re për ekonominë:
Janar-Mars 2025: 968 milionë euro
Janar-Mars 2024: 828 milionë euro
Rritje: +140 milionë euro
Kredia e marrë në valutë (tremujori I 2025):
Në euro: 363 milionë euro
Në USD: 23 milionë euro
Total: 386 milionë euro
