Rreziku nga rrjetet sociale dhe siguria online për të rinjtë është kthyer në një debat që disa vende europiane por jo vetëm i ka shtyrë drejtë vendimeve konkrete për ndalimin e aplikacioneve online për moshat nën 16 vjeç.

Australia u bë vendi i parë në botë që ua ndaloi fëmijëve nën 16 vjeç aksesin në mediat sociale. Edhe parlamenti francez e ka miratuar një projektligj të tillë ndërsa Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar janë në shqyrtim të këtij ndalimi. Pyetja ngrihet, a duhet të ndiqet e njëjta rrugë edhe në vendin tonë?

Duke marr parasysh historikun e kufizimeve që lidhen me teknologjinë në Shqipëri, sociologia Eris Dhamo thekson se masat që nuk janë të zbatueshme rrezikojnë të dështojnë. Sipas kësaj qasjeje, ndalimi i menjëhershëm mund të mos japë rezultat nëse nuk shoqërohet me mekanizma realë verifikimi dhe me ndërgjegjësim të gjerë në familje dhe shkolla.

“Ajo që unë do të thoja janë dy elementë kryesorë: e para, të rriten treguesit e identifikimit të moshës dhe të mos bëhen veprime si ndërrimi i VPN apo anashkalimi i pyetjeve të sigurisë për moshën; dhe e dyta është edukimi digjital. Sistemi ynë shkollor këtë shqetësim kaq të madh, që vende kaq të zhvilluara i ka çuar në masa ndaluese, duhet ta kthejë së pari në një mjet edukues. Të edukojmë sot të rinjtë, por edhe prindërit, mbi vëmendjen që duhet të kenë gjatë përdorimit dhe ballafaqimit të fëmijëve me rrjetet sociale, e pastaj të kalojmë te masa të tjera e sa më shumë filtra”, u shpreh sociologia Eris Dhamo.

Në këtë kontekst, shqetësimet për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor të adoleshentëve mbeten serioze.

“Sjell probleme të zhvillimit mendor, rritje të ankthit, depresionit, probleme me gjumin dhe përqendrimin, elemente që kanë të bëjnë me izolimin dhe ndjenjën e krahasueshmërisë. Element që kemi pasur pasoja deri me vdekje është bullizimi online. Duhet të kemi në fokus faktin që këto kompani kaq milionëshe nuk kanë në fokus mirërritjen e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë, por kanë në fokus rritjen e sa më shumë ndjekësve”, tha sociologia.

Në një botë gjithnjë e më shumë të varur realiteti virtual, vendi ynë ka përpara sfidën për të gjetur zgjidhje që jo vetëm mbrojnë fëmijët, por që janë në të vërtet të zbatueshme në praktikë.