Rritja e çmimeve të referencës për 61 bashkitë në vend, të publikuara së fundmi për konsultim te projektvendimi i Ministrisë së Financave, pritet automatikisht të rrisë detyrimin e qytetarëve për taksën e ndërtesës. 

Çmimet e referencës të vendosura nga qeveria, përdoren jo vetëm për shitblerjen e pasurive të paluajtshme, por edhe për llogaritjen e vlerës së pronës që disponojnë banorët. 

Metodologjia e miratuar nga qeveria përcakton se vlera e apartamentit që disponon një qytetar llogaritet mbi çmimet e referencës. 

Ndërsa detyrimi për taksën e ndërtesës përcaktohet mbi vlerën e apartamentit. Si rrjedhojë, rritja e detyrimit të taksave për qytetarët do të jetë në % të njëjtë me rritjen e çmimeve të referencës. 

Sa rritet detyrimi për taksën e ndërtesës në rrethe 

Rritja e çmimeve fiskale do të sjellë rritje të pagesës vjetore të taksës së ndërtesës si për apartamentet e banimit ashtu edhe për bizneset. 

Për shtëpitë niveli i taksës së ndërtesës si për apartamente edhe për njësi tregëtare llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit. 

Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës (si për banim dhe për aktivitet tregtar) sipas çmimeve të referencës. 

Për shtëpitë e banimit shkalla e taksës së ndërtesës për qëllime banimi, pra për apartamentet është 0,05% e vlerës, por është në diskrecionin e Këshillit Bashkiak që mbi shkallën kombëtare të miratojë nivel + 30% më të lartë apo -30% më të ulët. 

P.sh marrim shembull qytetin e Vlorës, duke e llogaritur detyrimin për taksën e ndërtesës së apartamenteve mbi shkallën kombëtare prej 0,05%. 

Në Vlorë çmimi aktual i referencës 61,800 lekë për metër katror. Vlera e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2 llogaritet 61,800 lekë/m2 x 90 m2  = 5,562,000 lekë vlera e shtëpisë 

Detyrimi për taksën e ndërtesës 0,05 % x 5,562,000 lekë  = 2,781 lekë detyrimi vjetor. 

Çmimi i ri i referencës për zonën nr.1 në Vlorë propozohet 98,000 lekë/m2. Vlera e apartamentit llogaritet 98,000 lekë/ m2 x 90 = 8,820,000 lekë. 

Detyrimi për taksën 0,05% x 8,820,000 = 4,410 lekë detyrimi vjetor. 

Rritja nga ndryshimi i referencave 4,410- 2,781 = 1,629 lekë në vit apo 58.6% sa rritja e çmimit të referencës. /Monitor/