Bizneset dhe hotelet që marrin me qira hapësira në plazhe do të lidhin kontratat me shtetin brenda muajit qershor për sezonin turistik të vitit 2026. Vendimi, i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i firmosur nga kryeministri Edi Rama, përcakton gjithashtu se ndryshimet në kontratat ekzistuese dhe ato të reja për përdorimin e hapësirave të plazhit mund të bëhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.

Vendimi parashikon që dhënësi i hapësirës së plazhit, në bashkëpunim me njësinë vendore, mund të propozojë ndryshime për shkak të ndryshimeve të kapacitetit, zonës së plazhit ose zhvillimeve bregdetare, duke garantuar respektimin e marrëveshjes së dyanshme.

VENDIMI

PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024,   KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të  ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””,  të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Pas  pikës 5, të nenit 14, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda muajit qershor.”.

b) Në nenin 5 të shtojcës  I,  “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

 “3. Dhënësi, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, mund të propozojë amendime në këtë kontratë, në rastet e ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregujore, vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.

4. Për kontratat ekzistuese të lidhura për përdorimin e hapësirës së plazhit, ndryshimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kryhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, nëpërmjet nënshkrimit të amendimit të kontratës.”.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.