Sheshi “Nënë Tereza” pritet të ndryshojë në kuadër të një projekti të ri të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili parashikon riorganizimin e hapësirës publike dhe zhvillimin e një kompleksi të gjerë nëntokësor. Për ndërtimin e strukturave të projektit, FSHZH ka hapur procedurën e prokurimit me fond limit 2.08 miliardë lekë, mbi 21 milionë euro.

Tenderi, i çelur në Agjencinë e Prokurimit Publik, është pjesë e projektit “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 1&2” dhe konkretisht mbulon strukturat për ndërtimin e hapësirave publike multifunksionale dhe parkimit nëntokësor në sheshin “Nënë Tereza”.

Çfarë parashikohet

Ndërhyrja shkon përtej një parkimi të ri. Projekti teknik parashikon që pjesa më e madhe e funksioneve të reja të zhvillohet nën tokë, ndërsa sipërfaqja e sheshit të rikonceptohet si hapësirë kryesisht për këmbësorët. Në kompleks janë përfshirë parkimi, muzeu arkeologjik, një kapelë kushtuar Nënë Terezës dhe ambiente shërbimi për vizitorët.

Struktura nëntokësore do të shtrihet në disa nivele. Në kuotën -4 metra është parashikuar një shesh i ulur multifunksional, i cili do të funksionojë edhe si hapësirë hyrëse dhe shpërndarëse drejt funksioneve të tjera të kompleksit. Prej tij do të aksesohet bar-restoranti, kapela dhe holli i muzeut. Parkimi do të zhvillohet në nivelin -7.75 metra, ndërsa hapësira kryesore e muzeut arkeologjik do të zbresë deri në -19 metra.

Parkimi është projektuar me një kapacitet prej rreth 170 vendesh dhe do të lidhet drejtpërdrejt me hapësirat publike dhe funksionet e tjera të kompleksit nëpërmjet shkallëve dhe ashensorëve.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e projektit është ndryshimi i mënyrës së qarkullimit të automjeteve në zonë. Trafiku që aktualisht kalon në sipërfaqen e sheshit parashikohet të zhvendoset në një unazë nëntokësore, e cila do të rrethojë zonën e parkimit.

Aksesi do të bëhet përmes tre rampave me nga dy korsi: një në aksin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Pallatit të Kongreseve dhe Presidencës, dhe dy të tjera në rrugën “Lek Dukagjini”, përballë korpusit universitar.

Korridori nëntokësor i qarkullimit është projektuar me dy korsi nga 3.5 metra secila, ndërsa në të dy anët janë parashikuar edhe kalime për këmbësorë, të destinuara kryesisht për personelin, mirëmbajtjen dhe evakuimin në raste emergjente.

Hapësira e pritjes dhe hyrjes së muzeut do të ketë rreth 500 metra katrorë dhe do të përfshijë biletari, informacion, ambiente administrative dhe hapësira për aktivitete edukative dhe ekspozita. Kapela e Nënë Terezës është projektuar në një sipërfaqe prej rreth 700 metrash katrorë.

Një tjetër sipërfaqe prej rreth 340 metrash katrorë është rezervuar për bar-restorant, i integruar në sheshin e zhytur dhe në kompleksin kulturor.

Nga pikëpamja konstruktive, projekti mbështetet në një sistem me kolona, trarë dhe pllaka prej betoni të armuar, ndërsa thellësia e gërmimit kërkon mure perimetrale mbajtëse që formojnë strukturën mbrojtëse të kompleksit nëntokësor./Monitor