Prindërit dhe kujdestarët ligjorë me të ardhura vjetore nën 1,2 milionë lekë mund të përfitojnë zbritje deri në 100 mijë lekë nga baza tatimore për shpenzimet e arsimit të fëmijëve në ngarkim.

Administrata Tatimore, me nisjen e vitit të ri shkollor, u ka rikujtuar familjeve se faturat e shpenzimeve arsimore mund të përdoren për përfitimin e kësaj lehtësie fiskale, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara.

Përfitimi realizohet përmes deklarimit të të ardhurave në DIVA, ndërsa kërkesa për rimbursim paraqitet nëpërmjet platformës e-Filing, së bashku me faturat që dokumentojnë shpenzimet për arsimimin e fëmijëve.

Administrata Tatimore u bën thirrje prindërve që të marrin dhe të ruajnë faturat përkatëse gjatë vitit shkollor, pasi ato shërbejnë si dokumentacion për të përfituar zbritjen tatimore.

Sipas rregullave të përcaktuara, shuma e përfitimit mund të arrijë deri në 100 mijë lekë, duke ulur bazën mbi të cilën llogaritet tatimi për familjet që plotësojnë kriteret.

Administrata Tatimore thekson se deklarimi i saktë dhe dokumentimi i shpenzimeve përmes faturave janë elementë të rëndësishëm për përfitimin e lehtësisë fiskale.