Shqipëria kremton sot 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Për shqiptarët anembanë botës, 28 Nëntori simbolizon Ditën e Flamurit, lirinë, identitetin dhe krenarinë kombëtare.

Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali, së bashku me delegatë nga krahina të ndryshme shqiptare, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke hedhur themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Pas këtij akti historik, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Britaninë e Madhe, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Gjithashtu, për shpalljen e Pavarësisë u informuan edhe shtetet ballkanike, të cilave iu kërkua njohja e shtetit të ri shqiptar.

Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Kuvendit të Vlorës dhe më pas drejtues i Qeverisë së Përkohshme, në përbërje të së cilës u përfshinë përfaqësues nga krahina të ndryshme shqiptare.

Shpallja e Pavarësisë ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe sakrificave shekullore të popullit shqiptar për liri, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe krijimin e shtetit të tij.

28 Nëntori i vitit 1912 shënoi një kthesë vendimtare në historinë e Shqipërisë. Pas afro pesë shekujsh nën sundimin e Perandorisë Osmane, shqiptarët hodhën themelet e një epoke të re politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Akti historik i Vlorës kishte një rëndësi të veçantë edhe përballë synimeve territoriale të shteteve fqinje, të cilat rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare.

Sot, 114 vjet më vonë, flamuri kuqezi valëvitet në Shqipëri, Kosovë, në trevat shqiptare dhe në diasporë, duke bashkuar shqiptarët përtej kufijve gjeografikë.

Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar 114-vjetorin e Pavarësisë, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen!