Shqiptarët punojnë mesatarisht 41.4 orë në javë, sipas raportit më të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (OIT).Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me orë të gjata të punës, duke reflektuar një nivel të lartë angazhimi në tregun e punës, por njëkohësisht duke nxjerrë në pah sfida strukturore lidhur me produktivitetin dhe balancën mes jetës personale dhe punës.

Në nivel global, orët e punës variojnë nga 30 deri në 54 orë në javë. Në krye të listës janë Butani me 54.5 orë, Sudani me 50.8 orë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me 48.4 orë. Këto vende, kryesisht ekonomi në zhvillim, karakterizohen nga puna manuale dhe aktivitetet e shërbimeve, ku oraret e gjata dhe kushtet intensive të punës janë të zakonshme.

Ndërkohë, vendet e zhvilluara ekonomike si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe shënojnë mesatarisht 31 orë pune në javë, por me produktivitet shumë më të lartë. Në Ballkan, Mali i Zi mban vendin e parë me 44.2 orë pune në javë, i ndjekur nga Shqipëria me 41.4 orë dhe Bosnja e Hercegovina me 40.8 orë.

Këto vende tregojnë një profil të ngjashëm ekonomik, me punësim të lartë në sektorë si ndërtimi, turizmi dhe tregtia, ku orët e punës zakonisht tejkalojnë mesataren europiane.