Shqiptarët nuk i ndahen euros edhe kur vjen çështja te kursimet, pasi shumica e parave tona në bankë rezultojnë të jenë në monedhë të huaj. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave të përfshira në paranë e gjerë arriti në 1.43 trilionë lekë në muajin gusht, duke u rritur kështu me 2% në krahasim me korrikun.

Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i referohen të gjithë parave që qytetarët dhe bizneset mbajnë në bankë, pra paratë në llogaritë bankare, në llogari kursimi, në depozita afatshkurtra ose afatgjata dhe të tjera.

Kursimet në valutë i janë rikthyer rritjes për të dytin muaj radhazi, pas një rënieje në muajin qershor. Normat e ulëta të interesit apo zhvlerësimi i euros nuk po ndikojnë në sjelljen e qytetarëve për t’u larguar nga mbajtja e kursimeve në monedhën evropiane dhe zgjedhjen e depozitave në lekë.

Kursimet në valutë rezultojnë të kenë pësuar një rritje më të madhe, ndërsa rritja e atyre në lekë paraqitet tepër e vogël. Konkretisht, depozitat në monedhën kombëtare llogariten në 671 miliardë lekë, rreth 0.9% më shumë se në korrik. Ndërkohë, depozitat në valutë kapin një shifër prej 765 miliardë lekësh, një vlerë kjo gati 3.3% më e lartë se në muajin pararendës.

Nga ana tjetër, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat e transferueshme në lekë, të cilat i referohen parave që ne mbajmë në llogaritë tona bankare, kanë arritur në 394 miliardë lekë në korrik, ndërsa ato në valutë në 383 miliardë lekë.

Depozitat pa afat dhe llojet e tjera të depozitave vijnë me një shumë më të vogël dhe me një rritje më të lehtë krahasuar me korrikun.

Për sa i përket depozitave në valutë të përfshira në paranë e gjerë, shifrat flasin gjithashtu për një rritje të depozitave me likuiditet të lartë (depozitat pa afat) dhe të llojeve të tjera të depozitave.