Qeveria shqiptare do të zhvillojë më datë 10 qershor një ankand të ri të obligacioneve 20-vjeçare. Shuma e ofruar për investitorët do të ketë vlerën e 2 miliardë lekëve. Obligacionet 20-vjeçare u emetuan për herë të parë në muajin janar të këtij viti, nëpërmjet një ankandi për testimin e tregut.
Kërkesa nga investitorët rezultoi mjaft e lartë dhe nga 1.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 4.26 miliardë lekëve. Falë kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.72 miliardë lekësh. Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultuan në nivelin 6.78%, poshtë kuponin referencë prej 7% të paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave.
Në rihapjen e ankandit, që u zhvillua në muajin mars, yield-i uniform i pranuar i ankandit zbriti në 6.15%, duke ndjekur tendencën e përgjithshme të treghut të instrumenteve të borxhit qeveritar.
Edhe rihapja e ankandit tërhoqi interes mjaft të lartë të investitorëve. Nga 1 miliard lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 2.67 miliardë lekëve. Për shkak të kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.15 miliardë lekësh.
Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë.
Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Sipas rregullave të ankandit, në ankandet e obligacioneve të gjitha kërkesat pranohen me një yield uniform, që është yield-i më i lartë mes kërkesave të pranuara në ankand.
Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Këto instrumente janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në protofole dhe për të rritur kthimet për anëtarët.
Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim më afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë. Për herë të parë vitin e kaluar, tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare në lekë tërhoqi edhe investitorë institucionalë nga jashtë vendit./ Monitor
