
Pas rrjedhjes masive të informacionit lidhur me pagat, numrat e telefonit e targat e makinave, për këto të fundit ka reaguar dhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja.
I ftuar në A2, Gonxhja u shpreh se nuk ka asnjë lloj problemi në sistemin e DPSHTRR apo në protokolle, e se të dhënat e publikuara janë edhe në mbi 13 institucione të tjera.
“Flas me siguri të plotë se nga pikëpamja e sigurisë dhe e të gjithë protokolleve, nga pikëpamja e administrimit të sigurisë të sistemit zyrtar që bashkadministrohet, që është në pronësi të AKSHI-t, nuk ka asnjë lloj cedimi.
Nuk ka asnjë lloj cedimi nga ana e sistemit apo protokolleve, aspekteve administrative.
Kjo jo për të thënë se kjo është një gjë normale. Unë mendoj se kjo është bërë për t’i dhënë një efekt më të plotë, që ky skandal është më i plotë. Mendoj se është përdorur pjesa e targave për të krijuar këtë lloj përshtypje.
Është një listë e paplotë. Ka të dhëna unike që lidhen me shasinë e mjetin dhe nuk janë në këtë listë. Këto të dhëna i kanë mbi 13 institucione. Mungesa e mjeteve që ne kemi më shumë sesa kanë dalë, janë ato mjete që nuk kolaudoheshin dhe nuk siguroheshin”, u shpreh Gonxhja.