Edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës ka nisur sot në orën 08:00, duke mbledhur rreth 5,800 garues në këtë aktivitet sportiv.

Risi e këtij viti është përfshirja e garës prej 5 kilometrash, e cila synon të krijojë më shumë mundësi për pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë event.

Për mbarëvajtjen e organizimit janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 efektivë policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.

Për shkak të zhvillimit të maratonës, deri në orën 16:00 do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

E gjithë Unaza e Vogël e Tiranës do të jetë e bllokuar për automjetet, ashtu si bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri. Kufizimet përfshijnë gjithashtu segmentin nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, “Myslym Shyrin”, rrugët e zonës së ish-Bllokut, si dhe kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.

Ndërkohë, zhvillimi i aktivitetit sportiv do të sjellë ndryshime edhe në transportin publik, pasi disa linja të autobusëve urbanë do të devijojnë itinerarin e tyre gjatë ditës së sotme.