Forcimi i lekut nuk sjell automatikisht ulje të çmimeve, ndërsa dobësimi i monedhës vendase ka ndikim të fortë në rritjen e inflacionit, veçanërisht gjatë periudhave kur inflacioni është i lartë.
Ky është përfundimi kryesor i një studimi të publikuar në Revistën Ekonomike 6M1-2026 të Bankës së Shqipërisë, i cili analizon marrëdhënien mes kursit të këmbimit dhe inflacionit në vend për periudhën 2002–2024.
Studimi, i realizuar nga Altin Tanku dhe Lorena Skufi, vëren se ndikimi i kursit të këmbimit mbi inflacionin është asimetrik.
Sipas autorëve, zhvlerësimi i lekut ndaj euros krijon presione të konsiderueshme inflacioniste, ndërsa mbiçmimi i monedhës vendase ka një efekt modest dhe statistikisht të parëndësishëm në uljen e inflacionit. Me fjalë të tjera, çmimet reagojnë më shpejt dhe më fort kur leku dobësohet sesa kur ai forcohet.
Analiza është mbështetur në të dhëna mujore të marra nga Instituti i Statistikave dhe Banka e Shqipërisë, duke përfshirë tregues si norma bazë e interesit, inflacioni i huaj, kursi i këmbimit, çmimi i naftës, aktiviteti ekonomik dhe oferta monetare.
Për të identifikuar ndryshimet në ndikimin e kursit të këmbimit, studiuesit kanë përdorur modelin ekonometrik Q-NARDL, i cili mundëson analizimin e efekteve të veçanta të nënçmimit dhe mbiçmimit të lekut në nivele të ndryshme të inflacionit.
Rezultatet tregojnë se kur inflacioni është i ulët, ndikimi i dobësimit të lekut mbi çmimet mbetet relativisht i kufizuar, ndërsa forcimi i tij pothuajse nuk reflektohet në uljen e inflacionit. Situata ndryshon në periudhat me inflacion të lartë, ku zhvlerësimi i monedhës vendase përkthehet në rritje shumë më të forta të çmimeve, ndërsa mbiçmimi vazhdon të mos japë efekte domethënëse në kahun e kundërt.
Sipas autorëve, këto rezultate tregojnë se përçimi i kursit të këmbimit në inflacion intensifikohet pikërisht në momentet kur ekonomia përballet me presione të larta inflacioniste.
Në këtë mënyrë, dobësimi i lekut bëhet një faktor shtesë që ushqen rritjen e çmimeve, ndërsa forcimi i tij nuk është i mjaftueshëm për t’i kthyer ato në nivele më të ulëta.
Në përfundimet e studimit, autorët theksojnë se gjetjet kanë rëndësi për hartimin e politikës monetare, pasi tregojnë se reagimi i inflacionit ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit nuk është simetrik.
Sipas tyre, nënçmimi i lekut ushtron presione të ndjeshme inflacioniste, veçanërisht kur inflacioni është tashmë i lartë, ndërsa mbiçmimi i monedhës vendase ka ndikim të papërfillshëm në uljen e çmimeve.

