Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se ka krijuar një shërbim elektronik, përmes të cilit çdo qytetar mund të verifikojë nëse ka detyrim për të plotësuar deklaratën vjetor të ardhurave individuale, të njohur si DIVA.
Kushdo mund të verifikojë menjëherë në Tax Test, shërbimi elektronik i Administratës Tatimore, në faqen zyrtare:
https://www.tatime.gov.al/c/3/10/652/deklarata-individuale-vjetore-e-te-ardhurave
Sipas njoftimit, Tax Test është shërbimi elektronik i Administratës Tatimore, i cili ka për qëllim të informojë të gjithë individët për të kuptuar nëse e kanë apo jo detyrim deklarimin e DIVA 2025.
I thjeshtë në përdorim, ky shërbim është i organizuar sipas një pyetësori që i përgjigjet në kohë reale çdo individi (rezidentë apo jorezidentë), në përputhje me të ardhurat e tij.
Tatimet sqarojnë individët se nuk është e nevojshme të vendoset emri i përdoruesit apo fjalëkalimi, dhe se informacioni nuk përmban të dhëna konfidencial, por dhe është i ndërtuar në bazë të disa pyetjeve shumë të thjeshta, që japin informacionin e nevojshëm nëse individi plotëson ose jo kriteret për të qenë subjekt deklarimi për DIVA 2025.
Administrata Tatimore bën me dije se afati i deklarimit dhe pagesës së DIVA 2025, sipas ligjit të ri, është data 31.03.2026 dhe se subjekt deklarimi për vitin 2025 janë ata individë që:
Kanë realizuar të ardhura bruto 1.200.000 lekë ose më shumë nga të gjitha burimet, jo vetëm nga paga;
Kanë qenë në më shumë se 1 marrëdhënie punësimi gjatë të paktën 1 muaji;
Gjatë vitit 2025 kanë realizuar të ardhura më shumë se 50.000 lekë, për të cilat nuk është mbajtur tatim (shembull: Qiradhënie për individë të paregjistruar, si: Qira ditore apo nga platformat Booking, AirBnB etj).
Tatimet sqarojnë se edhe nëse nuk keni detyrim ligjor për deklarim, por plotësoni kushtet për të përfituar rimbursim për fëmijët në ngarkim dhe për shpenzimet arsimore, duhet ta dorëzoni DIVA 2025 për të përfituar nga këto zbritje./Monitor
