Një ilaç 4,000-vjeçar, i përdorur më së shumti për lehtësimin e dhimbjes, po rezulton se mund të parandalojë formimin dhe përhapjen e disa tumoreve në trup – një zbulim që tashmë po ndikon në politikat shëndetësore, shkruan BBC.

Nick James, një marangoz britanik në të dyzetat, filloi të shqetësohej për shëndetin e tij pasi nëna e tij vdiq nga kanceri dhe më pas vëllai, së bashku me disa anëtarë të tjerë të familjes, u diagnostikuan me kancer të zorrës së trashë. Ai vendosi të kryejë teste gjenetike dhe rezultoi se mbante një gen të dëmtuar që shkakton Sindromën Lynch, një gjendje që rrit ndjeshëm rrezikun për këtë lloj kanceri.

Ndihma erdhi nga një drejtim i papritur. James u bë personi i parë që u regjistrua në një provë klinike që synonte të testonte nëse një dozë e përditshme aspirine – një qetësues që merret pa recetë – mund të mbrojë nga zhvillimi i kancerit.

Në varësi të llojit të mutacionit gjenetik, 10% deri në 80% e personave me Sindromën Lynch zhvillojnë kancer të zorrës së trashë gjatë jetës së tyre. Por deri tani, për James gjithçka duket premtuese. “Ai ka marrë aspirinë prej 10 vitesh dhe deri më tani nuk ka shfaqur asnjë shenjë kanceri,” thotë John Burn, profesor i gjenetikës klinike në Universitetin e Newcastle, i cili drejtoi studimin.

Kjo tingëllon pothuajse e pabesueshme, por prej kohësh ka pasur indicie se ky ilaç mund të ulë rrezikun e përhapjes së kancerit kolorektal, apo edhe të parandalojë shfaqjen e tij. Gjatë vitit të fundit, një sërë studimesh dhe provash e kanë forcuar këtë ide. Disa vende madje kanë ndryshuar udhëzimet mjekësore, duke përfshirë aspirinën si një mbrojtje të parë për personat me rrezik të lartë (edhe pse ekspertët theksojnë se kjo duhet bërë vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut). Ndërkohë, shkencëtarët po fillojnë të kuptojnë arsyet pse ky ilaç ka një efekt kaq të veçantë.

Rrënjë të lashta

Zbulimet e fundit i japin një kthesë të re historisë së një prej ilaçeve më të vjetra dhe më efektive që njeh njerëzimi. Në fund të shekullit XIX, arkeologët zbuluan pllaka balte 4,400-vjeçare në qytetin e lashtë mesopotamian të Nippur-it, në Irakun e sotëm. Ato përmbanin lista ilaçesh të përgatitura nga përbërës bimorë, shtazorë dhe mineralë. Mes tyre gjendeshin edhe udhëzime për një substancë të nxjerrë nga pema e shelgut.

Sot dihet se kjo substancë përmban salicinë, një përbërje që trupi e shndërron në acid salicilik, i cili ndihmon në lehtësimin e dhimbjes. Struktura e tij është shumë e ngjashme me aspirinën moderne – acidin acetilsalicilik – por më irrituese për stomakun. Edhe qytetërime të tjera të lashta, si egjiptianët, grekët dhe romakët, e përdornin këtë kurë.

Studimi modern i kësaj substance filloi në vitin 1763, kur prifti anglez Edward Stone i shkroi Shoqërisë Mbretërore për vetitë kundër temperaturës të lëvores së tharë të shelgut. Rreth një shekull më vonë, shkencëtarët arritën të sintetizonin acidin salicilik në formën më pak agresive – acidin acetilsalicilik – dhe e hodhën në treg me emrin tregtar Bayer.

Një shekull më pas, shkencëtarët zbuluan përfitime të tjera të papritura të aspirinës, sidomos në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Ajo ndihmon në hollimin e gjakut dhe në uljen e ngjitshmërisë së trombociteve, duke reduktuar rrezikun e mpiksjeve. Për këtë arsye, institucione si shërbimi shëndetësor britanik rekomandojnë doza të vogla ditore për personat me rrezik të lartë për infarkt apo goditje në tru.

Në vitin 1972, vëmendja u zhvendos edhe te kanceri, pas një studimi me minj të injektuar me qeliza tumorale. Shkencëtarët amerikanë zbuluan se shtimi i aspirinës në ujin e tyre uli ndjeshëm rrezikun që kanceri të përhapej në trup – një proces i njohur si metastazë.

Megjithatë, edhe pse zbulimi ngjalli interes, nuk ishte e qartë nëse ky efekt do të kishte të njëjtin ndikim te njerëzit. Për shumë kohë, ai mbeti më tepër një kuriozitet shkencor sesa një trajtim potencialisht revolucionar.

Një pikë kthese erdhi në vitin 2010, kur studiuesi Peter Rothwell nga Universiteti i Oksfordit rishqyrtoi të dhënat mbi përdorimin e aspirinës për sëmundjet kardiovaskulare. Analizat e tij treguan se ilaçi mund të ulë si shfaqjen, ashtu edhe përhapjen e kancerit, duke rikthyer interesin në rolin e tij në luftën kundër sëmundjes.

Megjithatë, të vërtetosh se aspirina parandalon kancerin në popullatën e gjerë është jashtëzakonisht e vështirë. Një studim ideal do të kërkonte ndarjen e njerëzve në dy grupe – një që merr aspirinën dhe një tjetër që merr placebo – dhe ndjekjen e tyre për dekada të tëra. Kjo e bën një provë të tillë pothuajse të pamundur për t’u realizuar.

Për këtë arsye, shkencëtarët janë përqendruar te grupe specifike, si personat që kanë kaluar më parë kancerin ose ata që kanë predispozitë gjenetike për ta zhvilluar atë.