Nuk ka asnjë të dhënë të përafërt se sa është numri i makinave të braktisura në parkingjet apo ambientet publike nëpër lagje.
Një marrëveshje midis Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe konfiskuara dhe Policisë Bashkiake i ka hapur rrugë, konfiskimit të tyre në rast se pronarët nuk i largojnë brenda 30 ditëve nga njoftimi. Shefja e policisë bashkiake Elona Lalaj, shpjegoi për TCH se njoftimi I dokumentuar për largimin e automjetit të braktisur sapo ka nisur.
“Duhet të bëhet një praktikë e plotë. Duke qenë se hapi i parë ishte njoftimi i drejtuesve do t’u lihet një afat 30 ditor, pra afati për lëvizjen e këtij mjeti është një mujor. Pas këtij afati, njëkohësisht ne si polici bashkiake jemi në korrespodencë. Pasi te jenë ezauruar të gjitha këto hapa nga policia bashkiake dhe është konstatuar se poseduesi nuk e ka lëvizur mjetin, atëherë do ndërhyjë dhe do të ngrejë mjetin për të cilën kemi nënshkruar marrëveshje”, shprehet Elona Lalaj, drejtore e Policisë Bashkiake
Nga momenti i bllokimit të automjetit të identifikuar si të braktisur, qytetari humbet të drejtën e pronësisë dhe makina konsiderohet e konfiskuar
“Jo nuk është ai më pronar i ligjshëm i mjetit. Janë shteruar të gjitha praktikat, do mbajmë procesverbale. Qytetari kishte kohën e mjaftueshme për të marrë masa, për ta depozituar për skrap. Qytetari nuk është më pronar i mjetit, kjo i kalon agjencisë”, shton ajo.
Ndërkohë nga cfarë ka vërejtur zonja Lalaj në krye të policisë Bashkiake prej pak muajsh, kanë qenë banorët e Tiranës që vazhdojnë të postojnë fotografi të mjeteve të parkuara prej vitesh e deri diku të harruara
“Dua të falënderoj të gjithë qytetarë e Tiranës që kanë bërë njoftime në portalin e Tiranës dhe i nxis të dërgojnë në këto platforma. Së dyti, gjej rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të bëjnë lirim vullnetar të hapësirave publike, që kanë parkuar automjetet, që u kanë hequr targat mjetit dhe i kanë kthyer në magazina. Gjej rastin t’u bëj këtë thirrje qytetarëve të Tiranës. Në të kundërt policia bashkiake do operojë me të gjithë bazën ligjore që ka në fuqi”, përfundon Lalaj.
Top Channel