Shqipëria ka regjistruar rekord trasaksionesh në dy muajt e parë të këtij viti duke konfirmuar sasinë e lartë të monedhës europiane që qarkullon në ekonominë tonë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në periudhën janar-shkurt janë realizuar trasaksione me vlerë 975,2 milionë euro. Në dy muajt e parë të vitit janë kryer rreth 66 mijë transaksione, duke u rritur me 25% në krahasim me një vit më parë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vihet re një zgjerim i pagesave të kryera në këtë sistem. Në janar-shkurt 2025, përmes AIPS-EURO u realizuan rreth 53 mijë pagesa me një vlerë totale prej 891 milionë eurosh. Kjo do të thotë se në fillim të vitit 2026 numri i pagesave në euro është rritur ndjeshëm, ndërsa edhe vlera e tyre ka shënuar rritje.
Ndërkohë rritje e trasaksioneve është regjistruar edhe nëse vërejmë shifrat e muajit janar me ato në shkurt si në numër po ashtu edhe në vlerë.
Të dhënat tregojnë se përdorimi i pagesave në euro brenda vendit po rritet, kryesisht në transaksionet mes bizneseve dhe institucioneve financiare.
Sistemi AIPS, i administruar nga Banka e Shqipërisë, shërben për kryerjen e pagesave të mëdha financiare në lekë, të cilat përdoren kryesisht nga bankat, bizneset dhe institucionet shtetërore për transferta të rëndësishme financiare. Në mënyrë të ngjashme funksionon edhe sistemi AIPS-EURO, i cili mundëson kryerjen e pagesave në euro brenda vendit për transaksione tregtare, financiare dhe bankare.
Rritja e numrit të transaksioneve tregon se bizneset dhe qytetarët po përdorin më shumë sistemet bankare për lëvizje parash duke shmangur Cash-in çka ndikon në uljen e informalitetin në ekonomi.
Por gjithashtu kjo justifikon dobësimin e euros në tregun shqiptar dhe revanshin e lekut. Zyrtarisht shtimi i fluksit të euros lidhet me fluksin turistik, remitancat por edhe investimet sidomos në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Aktualisht euro po këmbehet me rreth 96 lekë ndërsa disa ditë më parë zbriti në 95 lekë niveli më I ulët I regjistruar ndonjëherë.
