Janë dorëzuar zyrtarisht paketat e aplikimeve për anëtarësimin e bankave shqiptare në skemën e transfertave të kreditit SEPA, të cilat eliminojnë tarifat shtesë për çdo transfertë bankare brenda këtij sistemi.

Aplikimi është bërë nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, të cilat e kanë dërguar kërkesën pranë Këshillit Evropian të Pagesave (ECP). Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën individualisht aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, është shprehur se përgjatë vitit të parë të anëtarësimit aktorët ekonomikë në vend do të kursejnë rreth 20 milionë euro si rezultat i komisioneve, të cilat do të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale.