Tregjet financiare ndërkombëtare janë përfshirë nga luhatje të forta, ndërsa lufta me Iranin vijon të mbajë të lartë pasigurinë ekonomike globale.

Fillimisht investitorët reaguan pozitivisht pas raportimeve se Donald Trump ishte i gatshëm t’i jepte fund luftës edhe nëse Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e mbyllur. Por optimizmi zgjati pak. Deklaratat e paqarta që vijnë nga Shtëpia e Bardhë rikthyen frikën në tregje.

Sipas raportimit, presidenti amerikan ka hequr dorë nga një operacion për rihapjen e menjëhershme të Hormuzit, pasi kjo do ta zgjaste konfliktin përtej afatit katër deri në gjashtë javë që ai kishte parashikuar. Fokus, sipas zyrtarëve, do të jetë goditja e kapaciteteve raketore dhe detare të Iranit, përpara shtimit të presionit diplomatik.

Në të njëjtën kohë, Trump ka kërcënuar se do të godasë ishullin Kharg, nyjen kryesore të eksporteve iraniane të naftës, si edhe centrale elektrike e impiante ujore, nëse nuk arrihet marrëveshje.

Si pasojë, shumica e bursave aziatike e mbyllën ditën në rënie, ndërsa çmimi i naftës, edhe pse luhatet, mbetet mbi 100 dollarë për fuçi.

Analistët paralajmërojnë se tani pyetja kryesore nuk është sa lart do të shkojë nafta, por sa gjatë kostot e larta të energjisë do të godasin rritjen ekonomike dhe konsumin në mbarë botën.