Shërbime të caktuara që u ofrohen qytetarëve dhe bizneseve në portalin qeveritar në e-Albania, do të jenë me pagesë. Vendimi u mor sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shërbimet në e-Albania të cilat do të jenë me tarifa përfshijnë dokumente me nënshkrim elektronik, me vulë elektronike, çertifikata elektronike për fiskalizimin, si dhe transaksione në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG). Dokumentet e sipërcituara do të jenë me tarifa për bizneset dhe jo për qytetarët.
Shërbimet në “e-Albania” që bëhen me pagesë:
- 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
- 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;
- 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për çertifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
- 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
Tarifat do të aplikohen edhe për qytetarët shqiptarë dhe të huaj për dokumentet me nënshkrim elektronik. Kjo tarifë për qytetarët do të jetë 2 mijë lekë të reja për një vit.
Sipas VKM-së, tarifat për shërbime të caktuara në ‘e-Albania’, tarifat për shërbimet e kërkuara online do të paguhen elektronikisht në portalin qeveritar. Pagesa për dokumentet me nënshkrim elektronik dhe çertifikata elektronike për fiskalizimin, si për bizneset ashtu dhe për qytetarët, do të bëhet me marrjen e shërbimit. Kurse pagesa për shërbimin e dokumenteve me vulë elektronike dhe për transaksione në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), do të bëhet çdo muaj sa herë është kërkuar shërbimi.
Të gjitha të ardhurat që vijnë nga këto tarifa në “e-Albania” do të derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 36, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shërbimet elektronike, në favor të organeve dhe të institucioneve të administratës publike, subjekteve private dhe qytetarëve, ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
- Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, vulë kohore, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lek.
- Për subjektet private, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;
c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
- Për shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e huaj, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 2 000 (dy mijë) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
- Për nëpunësit e administratës në institucionet publike me vetëfinancim, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
- Pagesa e tarifave të përcaktuara në këtë vendim kryhet në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin qeveritar “e-Albania”.
- Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “a” e “c”, të pikës 3, dhe të pikave 4 e 5, të këtij vendimi, realizohen në marrje të çdo shërbimi elektronik.
- Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “b” e “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi, realizohen periodikisht çdo muaj për numrin e transaksioneve të kryera gjatë asaj periudhe on-line nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kryerja e tyre shihet në kohë reale.
- Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
- Vendimi nr.35, datë 22.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, shfuqizohet.
- Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA