Nëntë ish-magjistratë të shkarkuar nga vettingu, i kërkojnë gjykatës Kushtetuese rikthimin e tyre në sistem. Ndërsa për të paktën 4 prej tyre, ka qenë Gjykata e Strasburgut ajo që ka sugjeruar rihapjen e procesit për ta, të tjerët duket se thjesht po ritentojnë fatin, tani që Kushtetuesja ka trashëguar kompetencat e Kolegjit të Posaçëm të Apelit

Në qershor të vitit 2026, Komisioni i Posaçëm i Apelimit, i njohur si shkalla e dytë dhe më e lartë e vettingut, përfundoi misionin e tij. KPA konsiderohej si Dhomë e Gjykatës Kushtetuese, e për këtë arsye, kompetencat e saj i kanë kaluar kësaj Gjykate.

Deri më tani janë të paktën 9 ish gjyqtarë e prokurorë që kanë kërkuar rishikimin e vendimeve të KPA-së. Katër prej tyre, në fakt kanë në duar vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka konstatuar shkelje të ndryshme në procesin që çoi në shkarkimin e tyre, duke sugjeruar rishqyrtim të çështjeve.

Në këtë listë bën pjesë ish gjyqtari i Apelit Ervin Metalla, ish drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Durrës, Ferdinand Elezi, ish prokurori Gentjan Osmani, si dhe ish kryetari i Gjykatës së Pukës Izet Kadana. Ky i fundit, i shkarkuar me probleme në të tri kriteret, përfitoi nga fakti se në trupën Gjykuese ndaj tij kishte marrë pjesë Luan Daci, i dënuar më pas nga Gjykata e Posaçme për falsifikimin e dokumenteve që i mundësuan përzgjedhjen në KPA. Për këtë arsye, Strasburgu kishte vlerësuar shkelje të “së drejtës për një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”

Gjykata europiane për të Drejtat e Njeriut, i ka dhënë të drejtë dhe ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, me arsyetimin se gjatë procesit nuk ishte informuar për akuzat e ngritura ndaj tij. Por në këtë rast, nuk rezulton të ketë sugjeruar rihapjen e procesit. Megjithatë Selimi ka kërkuar që e gjithë procedura ndaj tij të rishqyrtohet nga fillimi për të tri kriteret e rivlerësimit.

Në praktikën e ndjekur nga KPA, rishikimi i vendimeve të saj, ishte refuzuar në të gjitha rastet, përjashtuar ato për të cilat Strasburgu ishte shprehur për rishikim. Megjithatë duket se ish magjistratët duket se duan të tentojnë fatin, meqënëse në lojë tani ka hyrë Gjykata Kushtetuese, e cila vështirë se mund të ndryshojë praktikën e ndjekur nga Kolegji i Posaçëm.

Dhe janë të paktën 3 ish gjyqtarë që janë ankuar në Kushtetuese kundër vendimit të KPA-së: Bledar Avdullai ish gjykatës në Tiranë, i cili madje e ka paraqitur dy herë kërkesën me të njejtin objekt, Alltun Çela ish kryetari i Gjykatës së Sarandës, dhe Luan Hasneziri ish gjyqtar i krimeve të Rënda.

Rishikimi i vendimit, sipas praktikës së KPA, mund të kërkohet, nëse zbulohet një shkak i ri. Dhe pikërisht kjo klauzolë duket se është shfrytëzuar nga ish kryeprokurorja e Tiranës Elizabeta Imeraj. Ajo kërkon që Kushtetuesja të konstatojë se

“Mbajtja në fuqi e vendimit nr. 11, datë 27.04.2022 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në kushtet e pafajësisë së plotë të ish-kunatit (A.B), prodhon pasoja kushtetuese të papajtueshme me shtetin e së drejtës. Marrja e masave të nevojshme për rivendosjen efektive të të drejtave kushtetuese të kërkueses në përputhje me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese”, tha Elizabeta Imeraj.
Imeraj megjithatë, ishte shkarkuar pasi për të trija kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale, KPA kishte gjetur se “është cënuar besimi i publikut te sistemi i Drejtësisë”.

Në listën e çështjeve drejtuar Kushtetueses, është dhe një kërkesë e SPAK-ut i cili ka marrë edhe funksionet e ish Komisionerit publik në procesin e Vettingut. SPAK kërkon shqyrtimin e vendimit të KPK që kishte lënë në detyrë prokuroren Elona Alvora. Konfirmimi i saj ishte kundërshtuar nga Komisionerja e atëhershme Irena Nino.

Por KPA, në korrik të vitit të shkuar kishte vendosur pezullimin e Alvorës nga detyra, dhe dërgimin e saj pranë Shkollës së Magjistraturës për trajnim për një periudhë 1 vjeçare. Një vendim i tillë ishte sugjeruar në atë proces dhe nga Adnand Xholi, si përfaqësues i SPAK-ut. Tani kur periudha e trajnimit të prokurores ka përfunduar pritet të shihet se cili do të jetë vendimi, për fatin e saj në radhët e Drejtësisë.