Edhe pse situata epidemiologjike është rënduar për shkak se qarkullojnë paralelisht disa viruse, Instituti i Shëndetit Publik deklaron se nuk është izoluar ende mutacioni K i virusit A të gripit, për të cilin janë alarmuar disa vende fqinje me ne, pasi ka transmetueshmëri të lartë dhe ka tejmbushur spitalet.

Italia raporton se gripi ka arritur pikun dhe se urgjencat janë plot, aq sa pacientët qëndrojnë nëpër korridore.

Shefja e Laboratorit të Virologjisë në ISHP tregon se janë kryer 1700 analiza që nga muaji tetor dhe janë në dispozicion aparatura të cilat bëjnë të mundur identifikimin e viruseve.

Por jo të gjithë qytetarët të cilët kanë qenë të sëmurë gjatë kësaj periudhe apo janë aktualisht të sëmurë janë testuar.

Ndërkohë, Hatibi tregon se në situata emergjente në ISHP mund të bëhen analiza dhe të nxirren rezultate të shpejta.

Ekspertët e shëndetit bëjnë thirrje për vaksinim te ata me sëmundje kronike, pasi virusi i gripit shkakton komplikacione të rënda deri në humbje jete.

Qarkullojnë A/H1N1 dhe A/H3N2, por më pas mbetet edhe virusi respirator sincicial te foshnjat, COVID-19 dhe viroza të tjera, të cilat mbivendosen me njëra-tjetrën duke përkeqësuar gjendjen e të sëmurëve.