Mbahet sot protesta e opozitës. Partia Demokratike, e mbështetur nga aleati i saj Partia e Lirisë ka thirrur shqiptarët sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 12:00 për të protestuar kundër qeverisë ‘Rama’. Ishte kryetari i PD-së, Sali Berisha ai që e njoftoi mbajtjen e kësaj proteste, ndërsa data u vendos pas konsultimit të tij me grupin parlamentar, ndërkohë që u përkrah dhe nga aleatët e tij.
Berisha tha se kjo do të jetë një protestë kundër Ramës, duke e cilësuar një revolucion demokratik që do të çojë sipas tij drejt dorëheqjes së kryeministrit.
Aksioni opozitar për këtë protestë erdhi pas zhvillimeve të fundit politike në vend dhe botë, sa i takon çështjes McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Rama. Javët e fundit debatet në Kuvend kanë qenë të ashpra, gjë që ka sjell dhe përjashtimin e 11 deputetëve të PD nga seancat plenare. Nga ato çka u transmetuan dje, mësohet se në protestë do të ketë fjalime nga figura politike të opozitës, ashtu si për çdo herë, por edhe mesazhe nga pjesëmarrësit dhe simpatizantët e tyre. Një tjetër të veçantë që prite të ketë kjo protestë është fakti se grupi i Alibeajt do t’i bashkohen kolegëve të tyre. Ky fakt u konfirmua nga deputeti Gazment Bardhi gjatë një bisede televizive.
Sakaq protesta e opozitës ka vënë në lëvizje policinë, e cila më herët njoftoi se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.
Nga ora 06:00 e mëngjesit (11 shkurt) nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Një ditë para protestës, Berisha-Policisë: Çdo protestues i lënduar, konsiderohet i persekutuar politik…
Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.