Përplasja më e fortë në Shqipëri mes qeverisë dhe opozitës lidhet me faktin se pse qeveria nuk po jep shifrat e sakta të të prekurve nga Covid-19, si dhe për numrin e ulët të testimeve në vend.


Shifrat flasin se sa herë ka pasur rritje të numrit të testimeve rezultati ka qenë një numër i lartë i të prekurve. Por sipas të dhënave që disponon Gazeta “Shqip” pavarësisht se nga tamponët e kryer qytetarët kanë dalë negativ, në momentin që kanë kryer skanerin ato rezultojnë të jenë prekur nga Covid.


Vetëm ditën e djeshme kanë rezultuar 60 persona pozitiv, pas kryerjes së skanerit te Sanatoriumi, ndërsa nga analiza e nxjerra nga tamponi rezultonin negativ.


“Kemi shtuar kapacitetet e testimit. Sot kemi në dispozicion 90 mijë teste dhe po hapim dhe një laborator të dytë në QSUT”, tha ministrja Manastirliu në konferencën e sotme për shtyp.


Çështja që shtrohet është se pse ministria po fsheh të dhënat e të prekurve nga Covid-19? Cila është arsyeja?


Veç ndonjë arsyeje për të mos deklaruar shifrat e sakta, ministria e Shëndetësisë me këtë veprim, mbase kërkon të shmangë kryerjen e analizave në laboratorët privat, duke e bllokuar, pavarësisht se Instituti i Shëndetit Publik i pati kërkuar zyrtarisht dhënien e lejes për kryerjen e analizave në laboratorët jo publik.


Kjo për faktin se nuk kishin kapacitete për të përballuar fluksin e madh, e lidhur kjo dhe me çështjen e lëvizjes së shqiptarëve jashtë vendit.