Prej më shumë se dy dekadash, 10 familje në fshatin Ravonik të Korçës jetojnë pa rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza, një problem që vijon të mbetet pa zgjidhje konkrete. Në mungesë të infrastrukturës, banorët janë detyruar të përdorin gropa septike, të cilat sipas tyre jo vetëm nuk funksionojnë siç duhet, por edhe krijojnë ndotje serioze në zonë.

Banorët shprehen se prej 24 vitesh kanë trokitur në dyert e institucioneve, nga bashkia tek prefektura, por pa marrë një përgjigje përfundimtare. Sipas tyre, dikur në zonë ka ekzistuar një kanal kullues në tokë shtetërore, i cili më pas është privatizuar, duke bllokuar mundësinë e shtrirjes së rrjetit të kanalizimeve për këto familje.

“Fshati ka kanalizime, vetëm ne kemi mbetur jashtë. Kemi paguar taksa dhe kemi kontratë me ujësjellësin, por askush nuk na ka dhënë zgjidhje,”– shprehet një prej banorëve.

Ata theksojnë gjithashtu se ndotja është bërë e padurueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme dhe shëndetin e komunitetit. Nga ana tjetër, përfaqësues të Ujësjellës Kanalizimeve Korçë sqarojnë se problemi lidhet me kuotat e terrenit, pasi banesat ndodhen më poshtë se rruga, duke e bërë të nevojshme kalimin e tubacioneve në një pronë private, për të cilën nuk është arritur marrëveshje me pronarin.

Institucioni thekson se aktualisht shërbimi ofrohet përmes pastrimit periodik të gropave septike, ndërsa si zgjidhje afatgjatë mbeten negociatat me pronarin ose mundësia e shpronësimit, nëse gjendet dakordësi. Edhe Bashkia e Korçës pranon se bëhet fjalë për një problem të hershëm. Kryetari i bashkisë, në një reagim, konfirmon se janë bërë përpjekje për të kontaktuar pronarët e tokës, të cilët ndodhen jashtë vendit, por pa sukses. Ai shton se përdorimi i gropave septike nuk është një zgjidhje e pazakontë në raste kur rrjeti i kanalizimeve është i pamundur teknikisht.