Rreth 40 familje në fshatin Pjetroshan të Malësi e Madhe u përballën për nëntë muaj me mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre.
Banorët tregojnë se edhe pse prej katër vitesh janë të pajisur me sahatë dhe kanë lidhur kontrata me ujësjellësin, prej shumë muajsh në rubinetat e shtëpive të tyre nuk ka ardhur asnjë pikë ujë. Sipas tyre, pas vendosjes së sahatëve dhe lidhjes së kontratave me ujësjellësin, furnizimi me ujë ka qenë normal për rreth tre vite, me përjashtim të ndërprerjeve gjatë periudhave të thatësirës në verë. Por situata ndryshoi rreth nëntë muaj më parë, kur uji u ndërpre plotësisht.
“Para katër vitesh na vendosën sahatët dhe bëmë kontratat. Për tre vite uji erdhi normalisht, por tani prej nëntë muajsh nuk kemi pasur asnjë pikë ujë,”– shprehen banorët.
Për të siguruar ujë të pijshëm, familjet janë detyruar të shkojnë në fshatra të tjera dhe të mbushin bidona me ujë. Në shumë raste ata janë detyruar edhe ta blejnë atë.
“Jemi rreth 40 familje. Dalim nëpër lagje të tjera dhe mbushim nga 7-8 apo 10 bidona ujë. Ndonjëherë edhe e blejmë, por është shumë e vështirë,”– tregojnë ata.
Edhe pse nuk furnizohen me ujë, banorët thonë se vazhdojnë të paguajnë detyrimet minimale për mirëmbajtjen e rrjetit.
“Ne paguajmë detyrimet edhe pse ujë nuk kemi. Para disa ditësh erdhi për pak kohë, sa për të thënë që është gjallë, por pastaj u ndërpre prapë,”– shprehen banorët.
Situata bëhet edhe më e vështirë gjatë verës, kur temperaturat arrijnë deri në 40 gradë dhe mungesa e ujit krijon probleme serioze për familjet dhe fëmijët. Pas ankesave të vazhdueshme të banorëve, emisioni Fiks Fare kontaktoi me përgjegjësin e zyrës së Ujësjellës Kanalizime Shkodër për zonën e Malësi e Madhe. Ai deklaroi se linja e ujësjellësit është shumë e vjetër dhe se është zhvilluar tenderi për ndërtimin e një linje të re.
Sipas tij, projekti është në fazën e dytë dhe punimet pritet të fillojnë së shpejti. Ndërkohë, për këtë problem u pyet edhe Bashkia e Malësi e Madhe. Nënkryetari i bashkisë, Sytki Ndrecaj, u shpreh se që nga viti 2023 sektori i ujësjellësit është drejtori më vete dhe bashkia nuk ka përgjegjësi direkte ligjore për menaxhimin e tij, por shtoi se institucioni vendor do të vazhdojë ta ndjekë problemin.
Edhe drejtori i Ujësjellës Kanalizime Shkodër, Besmir Leshaj, i kontaktuar nga redaksia, premtoi se shqetësimi i banorëve do të trajtohej me prioritet. Pas interesimit të emisionit Fiks Fare, situata ndryshoi. Banorët tregojnë se furnizimi me ujë ka rifilluar dhe tashmë uji vjen rregullisht në banesat e tyre.
“Pas interesimit tuaj, uji na erdhi dhe vazhdon pa problem. Është i pastër dhe i pijshëm. Ju falënderojmë shumë,”– shprehet një nga banorët e fshatit.
Rasti i Pjetroshan tregon edhe një herë vështirësitë që përballin shumë komunitete rurale me shërbimet bazë.



