Një emigrant shqiptar që jeton prej afro 20 vitesh në Itali po përballet me vonesa dhe mungesë komunikimi nga institucionet shqiptare, ndërsa pret njohjen e viteve të punës për përfitimin e pensionit në kuadër të marrëveshjes Shqipëri–Itali për sigurimet shoqërore.
Bëhet fjalë për Agron Ibrën nga Gosi i Kavajës, i cili u ankua në Fiks Fare se prej muajsh nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), edhe pse kërkesa e tij është dërguar zyrtarisht nga pala italiane që në shtator të vitit 2025.
Sipas Ibrës, ai ka ndjekur të gjitha procedurat për aplikimin e njohjes së viteve të punës, duke e dorëzuar fillimisht kërkesën pranë institucioneve përkatëse në Itali, më 2 gusht 2025. Më 9 shtator, dokumentacioni është përcjellë zyrtarisht drejt ISSH-së në Shqipëri. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar rreth 7 muaj, ai nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Kam telefonuar disa herë në numrat e publikuar nga ISSH, por nuk përgjigjet askush. Afatet janë 45 ditë, maksimumi dy muaj, ndërsa unë pres prej shtatorit,”– shprehet ai.
Sipas tij, edhe nga ana e institucioneve italiane i është konfirmuar se dokumentacioni është dërguar dhe se përgjigjja duhet të vijë nga pala shqiptare, e cila duhet të certifikojë zyrtarisht vitet e punës në Shqipëri. Pas interesimit të emisionit Fiks Fare, ISSH ka reaguar duke konfirmuar se kërkesa e ardhur nga Italia për rastin e Agron Ibrës ka mbërritur që në shtator.
Sipas Mimoza Gjokës, shefe sektori në ISSH, fillimisht dokumentacioni ka qenë i paplotë, pasi mungonte deklarata e punësimit të qytetarit në Shqipëri. Për këtë arsye, është kërkuar informacion shtesë nga pala italiane. Ajo shton se procesi është zgjatur edhe për shkak se qytetari nuk është ende pensionist dhe nuk ka një dosje ekzistuese, çka ka kërkuar verifikime shtesë në disa struktura dhe arkiva.
“Procedurat kërkojnë kohë, sidomos kur duhet të verifikohen kontributet në disa institucione dhe në rrethe të ndryshme,” shpjegon ajo.
ISSH gjithashtu pranon se ka pasur vonesa, duke i lidhur ato edhe me fluksin e lartë të aplikimeve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes me Italinë. Sipas institucionit, vetëm që nga 1 korriku janë depozituar mbi 3 mijë kërkesa nga pala italiane. Pas ndërhyrjes së Fiks Fare, ISSH ka premtuar se rasti i Agron Ibrës do të trajtohet me përparësi dhe do të përfundojë brenda dy ditësh. Nga ana e tij, qytetari shprehet i lehtësuar dhe falënderues për ndërhyrjen, duke shpresuar që pas muajsh pritjeje çështja e tij të marrë më në fund zgjidhje.



