Një histori tronditëse e denoncuar në emisionin Fiks Fare ka rikthyer në vëmendje çështjen e trajtimit të kafshëve dhe reagimin institucional ndaj rasteve të përsëritura të dhunës.
Dy aktiviste të mbrojtjes së kafshëve ngritën alarmin për një qytetare me inicialet E.H., për të cilën komuniteti i zonës pretendon se prej vitesh keqtrajton dhe vret mace të rrugës. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për një episod të izoluar, por për një sjellje të përsëritur që ka shkaktuar frikë dhe shqetësim të vazhdueshëm në lagje.
Një nga qytetaret që ushqen prej vitesh kafshët e rrugës rrëfen se e ka parë disa herë zonjën pranë shkollës “Siri Kodra”, duke mbajtur mace në krah, ndërsa sjellja e saj kishte ngjallur dyshime që në fillim.
Por episodi më i rëndë, sipas saj, ndodhi pas një njoftimi urgjent nga banorët, të cilët pretendonin se në banesë po dhunohej një mace.
“Ajo që pamë ishte e frikshme. Brenda banesës kishte gjurmë gjaku dhe një mace të dhunuar. Ishte një pamje që nuk harrohet lehtë,” – shprehet denoncuesja, duke shtuar se menjëherë kishte njoftuar policinë.
Avokatja dhe aktivistja Adriana Kalaja deklaron se rasti është referuar prej kohësh në Komisariatin Nr. 4, por sipas saj, është trajtuar me papërgjegjshmëri.
“Dhunimi dhe vrasja e kafshëve janë vepra penale të parashikuara në Kodin Penal. Megjithatë, pavarësisht denoncimeve, çështja u la në heshtje,” u shpreh ajo.
Edhe aktivistja Dorina Mema thekson se problematika e trajtimit të kafshëve në Shqipëri lidhet ngushtë me edukimin dhe përgjegjësinë qytetare.
“Kafshët e pambrojtura janë shpesh sinjali i parë që diçka nuk funksionon siç duhet në shoqëri,” tha ajo, duke kërkuar reagim më të fortë institucional dhe mekanizma parandalues.
Fiks Fare u interesua pranë Komisariatit të Policisë nr. 4 dhe në Prokurori për rastin e zonjës që dyshohet se keqtrajtonte dhe vriste macet. Në përgjigjen e tij ky komisariat bën me dije se ndaj zonjës janë bërë disa kallëzime gjatë muajit shkurt të këtij viti. Kallëzimi i parë është bërë në dt 4 shkurt dhe zonja me inicialet E.H është shoqëruar në komisariat dhe për shkak të dyshimeve se mund të vuante nga probleme të shëndetit mendor është shoqëruar në Spitalin Psikiatrik të Tiranës.
Policia pasi ka kryer kqyrjen e banesës, ka njoftuar Bashkinë e Tiranës dhe dosjen ia ka kaluar prokurorisë për veprën penale ‘keqtrajtimi i kafshëve’. Policia sqaron se më pas janë bërë edhe kallëzime të tjera penale një javë më vonë ndaj 49 vjeçares.Përsëri E.H është shoqëruar në komisariat , e më pas në Spitalin Psikiatrik. Prokuroria e Tiranës konfirmoi për Fiks Fare se është regjistruar procedimi penal ndaj 49 vjeçares me inicialet E.H
Gjithashtu prokuroria konfirmon se dosjen ndaj saj do e delegojnë përsëri pranë Komisariatit të Policisë nr 4 të kryeqytetit, për kryerjen e veprimeve hetimore, siç janë kryerjen e verifikimeve në lidhje me personalitetin e zonjës, verifikimin e pamjeve filmike dhe marrjen e deklarimeve të personave që kanë dijeni për keqtajtimin e kafshëve nga ana e saj.
Mjekja psikiatre Valentina Asabella shpjegon për Fiksin se sjellje të tilla mund të lidhen me çrregullime të shëndetit mendor, por thekson se çdo rast duhet vlerësuar individualisht dhe pa stigmatizim.
Sipas saj, pacientja ka qenë nën mjekim dhe e ndjekur rregullisht, por mbetet e paqartë nëse trajtimi është marrë në mënyrë të vazhdueshme, duke qenë se ajo jetonte e vetme. Aktualisht, 49-vjeçarja ndodhet në spital, ku po kryhet vlerësimi i plotë diagnostik, ndërsa pas daljes do të jetë nën ndjekjen e qendrës komunitare përkatëse.



