Një familje në qytetin e Durrësit është përballur prej rreth 7 vitesh me institucionet vendore dhe me ato gjyqësore për të marrë banesën e rindërtuar, e cila iu dëmtua dhe shkatërrua nga tërmeti i vitit 2019. Në redaksinë e emisionit investigativ Fiks Fare u ankua Elida Veliaj, e cila thotë se është nga qyteti i Durrësit, jeton prej vitesh në Itali, ndërkohë që familja e saj ka pasur një banesë në qytetin e Durrësit.
Elida thotë se pallati ku kishin apartamentin u shemb dhe në atë truall u ndërtua një pallat i ri nga Bashkia e Durrësit. Apartamenti që ajo ka pasur ka qenë 2 + 1, ndërkohë që Bashkia i ka thënë se përfiton vetëm një apartament 1 + 1, në katin e parë. Familja e saj nuk e ka pranuar këtë vendim të Bashkisë së Durrësit dhe ka bërë një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.

Gjykata në datën 24 shtator 2025 ka vendosur që të pranojë padinë, duke detyruar “Bashkinë e Durrësit të pajisë familjen e paditëses Elida Veliaj me apartament banimi 3 + 1 me sipërfaqe nga 90 – 100 metra në pallatin e rindërtuar mbi truallin e pallatit egzistues ku ata kishin apartamentin në pronësi”. Elida thotë se babai i saj është i sëmurë dhe ai ka shprehur dëshirën që të qendrojë në Durrës, ku edhe të varroset.

“Tani vijmë në Durrës dhe qendrojmë në banesë me qira, ndërkohë një pallati është bërë, janë ndarë disa hyrje dhe aktualisht ka hyrje të lira, që plotësojnë metrat katrorë. Unë dua vetëm të zbatohet vendimi i gjykatës. Është i formës së prerë dhe t’a zbatojnë, të më japin metrat katrorë, të bashkojnë njësitë. Përse duhet që unë të sorollatem, është e shkruar shumë qartë. Ndaj janë këto gjykata. Unë s’duhet të sorollatem më, më jepni atë që më takon, me vendim gjykate”– përfundon Elida.

Pas ankesës, grupi i Fiks Fare shkon në Bashkinë e Durrës, teksa interviston nënkryetarin e Bashkisë Gentian Kallmi. Nënkryetari thotë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm më familjen Veliaj, pasi e di problematikën e saj familjare, teksa është mbledhur edhe grupi i punës.

“Kemi qenë në kontakt, kemi mbledhur një grup pune dhe kemi marrë një vendim për zbatimin e vendimit të gjykatës. Familja ka një vendim gjykate dhe ai do të zbatohet. Brenda muajit korrik e gjithë situata do të rregullohet”– thotë Gentiani.
Fiksi e pyet për procedurat e ndjekura fillimisht, teksa ai shton se ka pasur problematikë në ndarjen e apartamentit, me short, ku ajo familje s’ka qenë dakort me metrat katrorë dhe iu drejtua gjykatës.
“Do ia zgjidhim brenda muajit korrik”-, përfundon nënkryetari.

