Një tjetër rast i moszbatimit të vendimeve gjyqësore nga institucionet publike u denoncua në emisionin investigativ Fiks Fare. Këtë herë bëhet fjalë për Bashkinë Librazhd, e cila prej vitesh refuzon të zbatojë një vendim gjykate të formës së prerë, duke mos rikthyer në detyrë një ish-punonjëse, pavarësisht se ajo e ka fituar të drejtën në gjykatë.

Zonja Ruzhdie Alla u ankua në “Fiks Fare” se edhe pse disponon një vendim gjykate, Bashkia Librazhd nuk e zbaton atë. Ajo ka punuar prej vitesh në këtë institucion si përgjegjëse e kontrollit të ushqimit, por pas largimit nga ky pozicion iu drejtua gjykatës. Gjykata vendosi në favor të saj, duke urdhëruar rikthimin në të njëjtin pozicion pune, si dhe dëmshpërblimin financiar për pagat e prapambetura.

Sipas zonjës Alla, pas vendimit ajo është paraqitur disa herë në bashki, por në vend që të rikthehet në pozicionin e përcaktuar nga gjykata, i janë ofruar poste të tjera që nuk përputhen me vendimin gjyqësor. Ajo shprehet se nuk mund t’i pranojë këto oferta, pasi cenojnë statusin e saj si nëpunëse civile dhe bien ndesh me vendimin e formës së prerë. Gazetarët e Fiks Fare takuan drejtoreshën e Burimeve Njerëzore në Bashkinë Librazhd, e cila i ka propozuar zonjës Alla një pozicion në Zyrën e Shërbimeve.

Megjithatë, kjo lëvizje do t’i hiqte asaj statusin e nëpunëses civile, fakt që pranohet edhe nga vetë drejtoresha. Ajo pretendon se ky ndryshim mund të “pezullohet” për tre muaj, një zgjidhje që nuk ka bazë ligjore dhe nuk parashikohet në vendimin e gjykatës. Ndërkohë, zonja Alla është drejtuar edhe në Përmbarimin e Elbasanit, por pa gjetur zgjidhje konkrete. Ajo është informuar se rezulton e “tërhequr” nga përmbarimi, një pretendim që ajo e kundërshton.

Gjatë përballjes me Fiks Fare, drejtues të Bashkisë Librazhd pranojnë se nuk e rikthejnë zonjën Alla në të njëjtin pozicion, me arsyetimin se aktualisht ky post është i zënë nga një tjetër drejtues që plotëson kriteret dhe mund të ndjekë të njëjtën rrugë ligjore si ajo. Një argument që përbën paragjykim, pasi një vendim gjykate është detyrim ligjor dhe nuk mund të vihet në diskutim nga administrata.

Sa i përket pagesave që zonja Alla duhet të përfitojë sipas vendimit, ekonomistja e bashkisë pretendon se ekziston një “marrëveshje” sipas së cilës ajo ka hequr dorë nga këto të drejta financiare. Por këtë version e rrëzon Përmbarimi i Elbasanit, ku përmbaruesja sqaron se zonja Alla nuk ka hequr dorë nga paratë, dhe se Bashkia Librazhd nuk ka asnjë të drejtë ligjore të mos zbatojë vendimin.

Përmbaruesja pranon se shprehja e saj nuk ka qenë e qartë, por thekson se heqja dorë ka qenë vetëm nga zyra e përmbarimit