Një rast konkret që krijon ngërç ligjor me administrimin lidhet me pronën e konfiskuar në emër të shtetasit Pashko Pjetër Kolvataj. Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 4 dynymësh në bregun e Drinit në Lezhë që ishte tjetërsuar para se të konfiskohej.

Prona figuronte fillimisht në emër të Kolvatajt. Por, në katalogun e konfiskimit, rezulton një kontratë shitjeje e datës 14 dhjetor 2017. Konfiskimi ishte lënë në fuqi edhe në Apel në vitin 2022. Por, Agjencia nuk mund të marrë në administrim këtë aset që tashmë rezulton në emër tjetër, edhe pse shitja dyshohet se ka qenë fiktive, pikërisht për të shmangur shtetëzimin. (476)

Në një tjetër rast, zbulohet se marrja në dorëzim e pronës me burim kriminal mbetet peng i një banke. Prona figuron në emër të Ilirjan Zaimit, i njohur me nofkën ‘Daja’. Ai u arrestua në kuadër të dosjes së bujshme “Shpirti” për trafikimin e tonelatave të kanabisit drejt Italisë.

Zaimit iu sekuestrua një apartament në Vlorë, por prona rezultonte me kufizim për llogari të një banke të nivelit të dytë. Për pasojë, ajo nuk është marrë në dorëzim dhe po shkon drejt degradimit të plotë.

‘Realisht në praktikë ndodh një element ku prona e sekuestruar vazhdon e degradohet deri në vendimin përfundimtar, gjë që është shumë e dëmshme si për shtetin që në rastet kur konfiskohet është fituesi fundor, dhe në rastin kur personit i rikthehet që i është dëmtuar në mënyrë të padrejtë një pronë e vendosur në mënyrë të ligjshme’, u shpreh ish-prokurori, Florian Bonjaku.

Problematike mbeten edhe rastet kur prona e konfiskuar apo sekuestruar është në proces legalizimi. Rezulton se janë të paktën 6 pasuri me sekuestro preventive në proces legalizimi dhe 18 raste me prona të konfiskuara po ashtu në proces legalizimi. Këto prona nuk mund të shfrytëzohen nga shteti për shkak të rrethanave të paqarta juridike.

Një tjetër tipologji paradoksale me asetet e krimit janë rastet kur vendoset sekuestro apo konfiskim i pjesshëm. Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit konfiskoi një kompleks shërbimesh në pronësi të shtetasit Ahmet Isufaj nga Fieri, i dënuar për trafik droge. Por, trualli mbi të cilin ngrihej ndërtesa me sipërfaqe rreth 530 metra katrorë mbeti në pronësi të subjektit.

Pra, godina nuk mund të shfrytëzohet nga shteti si e mirë publike pa vullnetin e personit të dënuar. Në të njëjtin vendim gjykate, ka një paradoks të dytë me pronën në emër të shtetasit Amarildo Isufaj, djalit të Ahmetit. Shteti i ka konfiskuar truallin me sipërfaqe 1 mijë e 580 metra katrorë, por mbi këtë sipërfaqe atij i mbetet godina prej 1 mijë e 200 metrash katrorë.

Pra, njësitë e biznesit do të vijojnë të prodhojnë para’ për të dënuarit e drejtësisë. Një histori e ngjashme është denoncuar edhe më herët me hotelin në pronësi të Klemend Balilit në Sarandë. Shteti konfiskoi 40% të hotelit, duke i lënë praktikisht në dorë kontrollin financiar dhe përfitimin subjektit të dënuar…

‘Kjo kërkon një punë shumë të madhe të personave që merren me hetimin e çështjes, që në momentin kur bëjnë një konfiskim pasurie, oficerët e policisë gjyqësore dhe prokuroritë nuk mund të shkojnë vetëm me të dhënat që i dalin nga sistemi, por duhet ta verifikojnë pronën duke pasur parasysh edhe mënyrën se si ekzistojnë pronat në Shqipëri’, u shpreh ish-prokurori, Florian Bonjaku.

Referuar katalogut zyrtar, në të paktën 3 prona të konfiskuara nuk rezulton dokumentacion hipotekor. Një nonsens i fortë juridik që ngre pikëpyetje dhe dyshime të forta mbi mundësinë e kthimit të pronës tek personat e inkriminuar.

‘Përplasjeve të pronave për shkak të mbivendosjeve nuk i kanë regjistruar këto prona, këto pasuri. Në këtë moment i jep mundësi personit që të vazhdojë të luajë me pronën. Në momentin që pasuria e tij është e paregjistruar në mënyrën e duhur dhe përfundimtare, ai merr vesh se ka një vendim sekuestrimi, i krijon mundësi që të tentojë fshehjen e saj’, u shpreh ish-prokurori, Florian Bonjaku.