Shqiptaro-Amerikania Blinera Kosovrasti ka denoncuar në emisionin “Fiks Fare” se prona e saj në Dibër të Madhe është cenuar nga një ndërtim që, sipas saj, është kryer në mënyrë të paligjshme mbi tarracën e përbashkët të godinës.
Ajo thotë se për këtë pronë ka investuar rreth 500 mijë dollarë dhe prej muajsh po përballet me institucionet për të kërkuar zgjidhje. Në një intervistë për Fiksin, Kosovrasti tregon se jeton dhe punon prej vitesh në Amerikë, ndërsa në Dibër të Madhe bleu katin e parë dhe të dytë të një vile 3-katëshe.

Sipas saj, prona ishte menduar për dy vajzat e saj, të cilat çdo verë vijnë nga SHBA në vendlindje. Ajo shprehet se pas blerjes pagoi të gjitha detyrimet përkatëse, por më vonë mbi tarracën, që sipas saj është hapësirë e përbashkët, nisi një ndërtim nga personi që bleu katin e tretë të godinës. Kosovrasti thotë se iu drejtua komunës së Dibrës së Madhe, e cila fillimisht konstatoi shkeljen dhe pezulloi punimet.

Megjithatë, sipas saj, ndërtimi rifilloi dhe u përfundua, edhe pse objekti ishte konsideruar pa leje. Ajo pretendon se i janë cenuar të drejtat mbi pronën dhe se institucionet nuk kanë zbatuar ligjin. Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan drejt Dibrës së Madhe për të ndjekur nga afër këtë rast.

Në godinë ata takuan persona që thanë se gjithçka është bërë sipas procedurave dhe se ndërtimi vazhdoi pasi dokumentacioni u plotësua. Vetë personi që ka kryer ndërtimin pranoi para kamerës se punimet nisën pa leje dhe se për këtë arsye u pezulluan fillimisht, por më pas, sipas tij, dokumentet u rregulluan dhe punimet vijuan deri në përfundim.

Edhe në komunë, punonjësit deklaruan se situata u krijua pasi prona nuk ishte regjistruar ende në emër të blerësve të rinj, as të Blinera Kosovrastit dhe as të blerësit të katit të tretë. Sipas tyre, për këtë arsye iu dha kohë pronarit për të plotësuar dokumentacionin. Ata shtuan se aktualisht çështja po shqyrtohet nga një komision pranë Ministrisë së Transportit, i cili do të vlerësojë nëse komuna ka vepruar drejt apo jo në këtë rast. Por dokumentet e siguruara nga Fiks Fare hedhin dyshime mbi versionin e komunës.
Emisioni siguroi procesverbalin e pezullimit të punimeve, ku rezulton se ndërtimi nuk po kryhej nga pronari fillestar i godinës 3-katëshe, por nga vetë blerësi i katit të tretë. Një tjetër fakt u zbulua edhe në Kadastrën e Dibrës së Madhe, ku gazetarëve iu tha se godina nuk rezulton në pronësi të një personi të vetëm, por të disa bashkëpronarëve, duke kundërshtuar deklarimet e komunës.
