Paraja nuk ka ngjyrë, aq më tepër në politikë! Ligjvënësit shqiptarë, pavarësisht se kujt partie i përkasin, mazhorancës, opozitës apo edhe partitë e vogla, shfrytëzojnë çdo nen të ligjit për “statusin e deputetit” për të marrë edhe qindarkat.

Por, sa paguhen dhe çfarë përfitimesh kanë deputetët në Shqipëri?

Fiks Fare ka hulumtuar dokumentet zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, për pagat dhe përfitimet, të muajve tetor, nëntor e dhjetor 2025 si dhe të muajit janar 2026. Krahas pagës, e cila është 310 mijë lekë, deputetët marrin edhe përfitime të tjera.

Ata marrin rimbursim për karburant, në masën 40 mijë lekë. Rimbursim për shpenzime telefonie, në masën 17 deri në 20 mijë lekë. Gjithashtu, marrin dieta për udhëtimet brenda vendit, shuma të cilat shkojnë në disa raste, deri në 170 apo 190 mijë lekë në muaj.

Marrin honorarë për mbledhjet e komisioneve të përhershme, nën – komisioneve, në shuma që shkojnë deri në 30 mijë lekë. Një tjetër pagesë që përfitojnë është edhe rimbursim për qira banese, një shumë nga 35 deri 40 mijë lekë në muaj. Në disa raste, deputetë të caktuar, marrin edhe rimbursim fature hoteli për udhëtimet që kryejnë brenda apo jashtë Shqipërisë.

Disa prej deputetëve, të rinjtë kryesisht, kanë të drejtën që të pajisen me pasaportë diplomatike, në bazë të ligjit. Ndërkohë, ata i kanë kërkuar që të rimbursohen për pagesën e kuponit të pasaportës, në shumën e 7.500 lekëve. Janë rimbursuar rioshët apo disa deputetë të rizgjedhur.

Sipas hulumtimeve të Fiks Fare, nga muaji tetor 2025 deri në janar 2026, janë rimbursuar 27 deputetë të rinj me shumën e 7.500 lekëve. Janë deputetë të mazhorancës qeverisëse, si Zegjine Çaushi, Sara Mile, Iris Luarasi etj, apo edhe deputetë të PD-së Arian Ndoja, Enno Bozdo e Gent Strazimiri. Nuk mungon as deputeti Erald Kapri, i partisë Mundësia.

Nga hulumtimi rezultoi se, krahas rrogës që u shkon neto në vlerën e 225 mijë lekëve, deputetët arrijnë të marrin të njëjtën shumë me dieta dhe honorarë. Sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, në muajin tetor të vitit 2025, buxheti i shtetit u pagoi deputetëve 29 milionë lekë paga dhe rreth 22 milionë përfitime.

Në muajin nëntor të po atij viti, pagat ishin në të njëjtin nivel, 29 milionë, ndërkohë që përfitimet ishin rreth 24 milionë. Në dhjetor përfitimet u ulën në rreth 16 milionë lekë dhe pagat në nivelin e 29 milionëve. Nëse në dhjetor kursyen arkën e shtetit, përfitimet në janar kapën shifrën e 28 milionëve, ndërsa pagat ishin në vlerën e 29 milionëve.

Me këto shifra, deputetët arritën që të përfitojnë nga 90 deri në 100 % të pagës vetëm nga të mirat që iu jep ligji! Në vitin 2025, sipas një raporti të brendshëm, Kuvendi i Shqipërisë ka pasur një buxhet rreth 2 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë euro!

Por, a kanë njohuri, integritet apo hartojnë apo miratojnë ligje të mira?!

Janë bërë disa studime, ku rezulton se shumica e deputetëve janë “memecë”. Por, edhe këta “memecë” paguhen njësoj sa edhe ata më llafazanët. Madje, memecë dhe llafazanë ka nga të dyja krahët e politikës, të cilët pa dallim ngjyre, arrijnë që të marrin të njëjta pagesa, rrogë apo shpërblime!

Në mbylljen e vitit kalendarik 2025, Fiks Fare pyeti disa nga këta deputetë se sa shtete ka BE-ja! Dhe nëse futej Shqipëria bëhej shteti i 31-të, kur në fat BE-ja ka vetëm 27 shtete anëtare. Shumica nuk e dinin!

Një tjetër pyetje ishte se, kush ka qenë kryetari më i mirë i Kuvendit, nga Haxhi Qamili deri te Niko Peleshi! Në fakt, Haxhi Qamili ka qenë udhëheqës i një kryengritje në vitet 1914 dhe 1915 që donte ende ligjet e Sulltanit në Shqipëri. Sërish, vijuan të përgjigjen duke mos pasur informacione se kush ishte Haxhi Qamili!

Fiks Fare intervistoi ish-deputetit Myslym Murrizi, një zë kritik edhe në kohën kur ka qenë deputet. Z. Murrizi tha se shumica e deputetëve, të majtë dhe të djathtë, apo të partive të vogla, abuzojnë me shpërblimet. Ai e vuri theksin te kompensimi për qiranë, duke pohuar se shumica e deputetëve, për të mos thënë të gjithë, kanë nga 2 a 3 shtëpi, luksoze dhe sërish marrin pagesën e qirasë.

Një tjetër abuzim është edhe tarifa e telefonisë celulare, ku rezulton se kjo pagesë është 17 mijë lekë në muaj. Nëse do të kërkosh për paketa në të 3 kompanitë, shuma maksimale e bisedave, mesazheve dhe internetit pa limit shkon deri në 2500 lekë!

“Duhet një hetim, qoftë penal. Tani s’është nga këto vjedhjet e mëdha që bëhen, por të vjedhin dhe deputetët është kulmi. Bëjnë nga këto fatura që të marrin pagesën e qirasë kur kanë disa shtëpi. Bëjnë edhe dieta sikur bëjnë takime në elektorat, kur s’kanë as zyrë dhe asnjë gjë tjetër”– thotë Murrizi.

Ai shton se edhe pagesa prej 40 mijë lekësh për karburant për abuzive. Edhe nëse do të lëvizin çdo ditë, asnjë s’i harxhon kuotën, por e shpërndajnë. Nga një llogaritje e Fiks Fare rezulton se, me 40 mijë lekë karburant, dhe me çmimin e një litri 170 lekë, makina duhet të bëjë plot 3.900 kilometra.

Me këtë shumë rezulton se deputetët marrin 235 litra karburant, e konvertuar me një makinë që harxhon rreth 6 litra për kilometër, duhet të bënin 3.900 kilometra.

Cili deputet i bën kaq kilometra?!

Ai propozon që deputetëve t’u bëhet një paketë me pagë tavan, që shkojnë deri në rreth 4 mijë euro në muaj dhe jo me këto shtesat, pasi lë shumë vend për abuzime. Një tjetër propozim i tij është se duhet të kthehet zgjedhja e deputetit nga populli, me votim të drejtpërdrejtë në zona, madje të kenë edhe një zyrë për takimet me qytetarët.

Deputetët që marrin qira banese:

  1. Antoneta Dhima
  2. Ilirjan Pendavinji
  3. Fadil Nasufi
  4. Greta Bardeli
  5. Hatixhe Konomi
  6. Niko Peleshi
  7. Bledi Çomo
  8. Erjo Mile
  9. Erjona Ismaili
  10. Genti Lakollari
  11. Ledina Alolli
  12. Ramion Kurti
  13. Zegjine Çaushi
  14. Ardit Bido
  15. Elton Korreshi
  16. Asforal Haxhiu
  17. Alma Selami

TETOR 2025

Kompensimi për kuponët e pasaportës:

  1. Ani Dyrmishi
  2. Arian Ndoja
  3. Enno Bozdo
  4. Erjo Mile
  5. Kiduina Zaka
  6. Klevis Balliu
  7. Marjana Koçeku
  8. Skënder Pashaj
  9. Zegjine Çaushi
  10. Zija Ismaili

NËNTOR 2025

Kompensimi për kuponët e pasaportës:

  1. Artan Luku
  2. Besa Spaho
  3. Bledi Çomo
  4. Brunilda Spahiu
  5. Erald Kapri
  6. Erion Malaj
  7. Gent Strazimiri
  8. Iris Luarasi
  9. Onid Bejleri
  10. Besnik Brahimi

JANAR 2026

Kompensimi për kuponët e pasaportës:

  1. Adi Qose
  2. Asforal Haxhiu
  3. Enriketa Jaho
  4. Genti Likollari
  5. Ledina Alolli
  6. Manjola Luku
  7. Sara Mila