64 nga 216 paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Berat ju komunikohet se do ju ndërpritet pagesa dhe do rishkojnë në komision në Tiranë pa mbushur kohën.

Në Fiks Fare u ankuan kryetari i Shoqatës Para-tetraplegjikë të Beratit, Petrit Muçollava bashkë me disa të të tjerë që kishin emrin në listë. Ai u shpreh se është njoftuar si ka shërbimi social shtetëror, por edhe nga shërbimi social në Bashkinë Berat se dosjet e tyre kishin kaluar në divergjencë dhe se u ndërpritej pagesa deri në një rikomisionim të dytë.

Petriti tregon se kjo nuk është e drejtë, pasi ai vetë personalisht por edhe shumë të tjerë edhe pse kanë dalë në komision dhe e kanë marrë atë me një afat të caktuar, ata duhet të paraqiten prapë për plotësimin e dokumenteve dhe në komisionin epror për rikomisionim. Petriti ka humbur aftësinë për të ecur dhe ai shprehet se para 6 muajsh ka berë gjithë dokumentacionin e duhur dhe e ka dorëzuar. Ka shkuar në Elbasan ku ka bërë edhe analiza më të detajuara dhe komisioni ia ka dhënë pagesën deri në vitin 2024, por pas 6 muajsh ai njoftohet se dosja e tij ka dalë në divergjencë. Në këtë listë bëjnë pjesë 64 persona nga 216 në total.

“Jam dakord që është ngritur një taks forcë nga Tirana për rishqyrtim të dosjeve, por që duhet të jetë për të gjithë dhe jo vetëm për disa“, pohon Petriti. “Nuk më duket normale që duhet të paraqitemi në Tiranë dhe që ne që jemi komisionuar të rikomisionohemi para kohe. Kuptoj që mund të ketë abuzime por ne që jemi në këtë listë jemi në gjendjen më të keqe të mundshme“, shprehet ai. Më pas kërkon nga Fiksi që kjo mos t’u ndodhë më, por që kontrollet taks forca t’ua bëj në shtëpi e të shikojë gjendjen përkatëse të kujtdo prej para-tetraplegjikëve, pasi shumica nuk kanë mundësitë fizike të lëvizin drejt Tiranës. “Nëse do mund të ecja as nuk e dua fare atë pagesë, madje do ju ktheja mbrapsht edhe ato që kam marrë, por mos të na lodhin më”, shton kryetari shoqatës.

Fiksi shkoi edhe në disa familje të tjera që fëmijët e tyre kishin emrin në listë. Të gjitha rastet që Fiksi paraqiti ishin ekstreme, askush nga para-tetraplegjikët nuk mundej as të ngriheshin nga krevati. Të mirë të ligë e bënin në vend. Në shërbim kishin prindërit të cilët në moshë të thyer e me lot në sy kërkonin ndihmë për gjithë këto burokraci.” Vajza ime ka 38 vjet në këtë gjendje që nuk lëviz, i kanë dalë thinjat tani e nxora në komision në 2021 e ka deri në 2026, tani unë duhet të paraqitem prapë. Më thoni ju ka kuptim?! Unë kur e çova në komision në 2021 me makinën time personale vajza ka humbur ndjenjat 3 herë rrugës, epo nëse është kështu më mirë të vdesë në shtëpi jo rrugëve” shprehet prindi i një vajze emri i të cilës është në listën prej 64 personave. Kurse prindi i një djali tjetër shprehet se është e pamundur për ta ngritur në këmbë edhe pse të dy burrë e grua mundohen shumë. “Mirë sa jam gjallë vetë po kur të vdes unë si do bëhet“, shprehet ai për Fiksin ndërkohë që nuk mban dot lotët.

Së bashku me këta prindër, Fiksi iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, Qarku Berat.
Drejtoresha Elona Hoxha mohon që të jenë njoftuar për ndërprerje të pagesës dhe se rivlerësimi do të bëhet në Tiranë. Ajo pohon se janë këto 64 dosje që po rishqyrtohen në dokumentacion nga taks forca në Tiranë, por që pagesa nuk është ndërprerë dhe nëse do ketë ndonjë rikomisionim ai do kryhet on line.

Por në një ballafaqim të kryetarit të shoqatës bashkë me drejtoreshën në korridoret e institucionit, mësohet se një punonjës i saj i ka thënë Petritit se dosjet janë në divergjencë dhe se pagesa do ndërpritet. Por kjo e fundit e urdhëron të futet në zyrën e tij. Drejtoresha e shërbimit social del edhe kur gazetarët e Fiksit në një lidhje telefonike që kryejnë me përgjegjësen e shërbimit social në Bashkinë Berat thotë “Ne na erdhi një email ku na thuhej se 64 dosje kishin dalë në divergjencë dhe se u ndërpritej pagesa”.

Ajo pohon se më pas ky email është shoqëruar nga një i dytë ku njoftonte vazhdimësinë e pagesës. “Unë njoftova drejtuesit dhe kryetarin e shoqatës si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin“, përfundon përgjegjësja e shërbimit social.

Fiksi u komunikoi të interesuarve se pagesa nuk do ndërpritej dhe se rivlerësimi do të bëhej on line. Duke falenderuar “Fiks Fare”, qytetarët ngritën edhe një tjetër shqetësim. Atë që në Qarkun e Beratit vetëm një person është më komision të përhershëm. Ata kërkojnë që për disa para-tetraplegjik sikurse ishin dhe rastet e transmetuara në “Fiks Fare” ta përfitonin atë. Madje njëri prej prindërve e mbyll: Nuk dua lekë madje ju jap po e çuat djalin tim në këmbë, por ai nuk bëhet!