Një firmë ndërtimi po mban “peng” prej më shumë se 27 vitesh plot 16 familje në Vlorë, duke mos i kolauduar pallatin 4 katësh, megjithëse këto familje i kanë blerë apartamentet me kontrata të rregullta noteriale.
Në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare” u ankuan banorët e pallatit në lagjen “1 Maji”, të cilët thanë se firma ndërtuese “Hanxhari” synon që në truallin ku ndodhet godina të ndërtojë një kullë.
“Na kanë ardhur përfaqësues të firmës dhe duan të bëjnë ‘pazar’ me ne. T’na largojnë dhe aty të bëjnë atë kullën. Ne i kemi blerë apartamentet me kontratë, po firma s’e kolaudon pallatin”-, thotë një prej banorëve.
Disa të tjerë pohojnë se pallati është ndërtuar me një leje ndërtimi të vitit të largët 1996, në zonën e plazhit të vjetër nga shoqëria “Hanxhari”, që vijon edhe sot e kësaj dite të ndërtojë në Vlorë apo edhe në Tiranë. Administratori i firmës është Fatmir Hanxhari, teksa të gjitha familjet e kanë likuiduar shumën e blerjes së pasurive.

Fiksi bisedon me disa nga këto familje, ku njëri prej tyre Velo Azizaj e ka marrë hyrjen në vitet 2000, teksa më vonë ka bërë edhe kontratën me pronarët e firmës. Ka paguar shumën prej 6 milionë lekësh të rinj. Por, mosmarrëveshja me shoqërinë ndërtuese qëndron së pari tek fakti që edhe pse jemi në vitin 2026, asnjë prej 16 familjeve nuk ka dokument ligjor pronësie.
“Shoqëria ‘Hanxhari’ sh.p.k gjithmonë ka thënë se do të përgjigjet dhe do t’a certifikojë atë objekt 4 katësh. Por s’kanë bërë asnjë kërkesë te ALUIZNI, Kadastër apo për t’a kolauduar në bashki. Kanë shkelur çdo afat”-, pohojnë banorët.
Fiksi ka mësuar se, vetë banorët kanë kërkuar dhe kanë bërë deklarata te ALUIZNI për t’a legalizuar vetë pallatin. Këtu kanë rënë në gjurmët e një mashtrimi të mundshëm, pasi pasuria me numër sipërfaqe 320 m2 truall dhe 117 m2 e shtetasve Fatmir dhe Vasilika Hanxhari është e hipotekuar në favor të një banke të nivelit të dytë. Fiksi ka hulumtuar dokumentin e dalë nga Kadastra, ku rezulton se trualli ku është ndërtuar pallati është aktualisht kolateral në bankë. Shumë banorë kanë shkuar në Bashkinë e Vlorës, por s’kanë marrë zgjidhje.

“Firma na ka braktisur dhe në mënyrë arrogante nëpërmjet një përfaqësuese të saj kërkon që detyrimet për certifikim t’i paguajnë banorët dhe nga ana tjetër është bërë pishman që i ka shitur këto pasuri me atë çmim. I kemi dërguar mesazh për të ditur çfarë do bëhet, pasi as ka shpallur falimentin dhe as nuk do t’ia di që i ka marrë lekët e 16 familjeve”-, thotë një prej banorëve.
Fiksi ka mësuar se, firma Hanxhari jo vetëm që s’ka falimentuar, por vijon të marrë leje ndërtimi. Pas ankesës, grupi i Fiks Fare shkoi në zyrat e firmës, në hyrje të Lungomares në Vlorë, por askush nuk pranoi të japë shpjegime. Gazetarët i dërgojnë një mesazh pronares, por sërish asnjë përgjigje.
Për shkak se Kadastra e Vlorës u transferua në Tiranë, Fiksi kontaktoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës. Kjo drejtori na tha se ka nisur një kontroll të të gjithë situatës, pasi është kohë e gjatë dhe janë bërë kërkesa si nga banorët, ashtu edhe nga qytetarët. Kadastra na ktheu një përgjigje se pasuria është regjistruar në favor të Fatmir dhe Vasilika Hanxhari. Fillimisht, pasuria ka qenë 130 metra katrorë ndërtesë, e cila është përfituar me vendim gjykate në vitin 1995.

Më pas, sipërfaqja ka shkuar në 320 metra ndërtesë, e përfituar nga leja e ndërtimit e muajit korrik të vitit 1996, për një shtesë prej 3 katësh. Trualli i ndërtesës është me sipërfaqe 3187 m2 dhe figuron shtet.
“Subjektet që kanë blerë njësi banimi me kontrata premtim shitje/kontrata porosie në këtë godinë, kanë të drejtën të aplikojnë për regjistrimin dhe pajisjen me aktekadastrale pranë Dv Ashk Vlore vetëm pasi të jetë realizuar kontrata përfundimtare për kalimin e pronësisë nga bashkëpronarët Hanxhari tek kërkuesit, për t’u pajisur me certifikatë pronësie për njësinë e tyre. Në kontratën përfundimtare, ashtu edhe në kartelën e pasurisë, do të pasqyrohet kufizimi i vendosur në seskionin D të kartelës, deri në zgjidhjen e marrëdhënieve me truallin”-, thotë Kadastra.
Pra pa kontratë përfundimtare kalimi pronësie nuk mund të bëhet regjistrimi individual i apartamenteve.

Ndërkohë në lidhje me truallin e këtij objekti, sqarojmë se ligji 20/2020 dhe aktet në zbatim të tij, kanë parashikuar rregullimin e marrëdhënies me objektin përmes aplikimit nga ndërtuesi ose palët e treta pas regjistrimit të kontratave përfundimtare. Duket se, ndërtuesi po i mban “peng” dhe nuk u bën kontratat e shitjeve, duke dashur që t’ua zaptojë për ndërtime të mëpasshme.
