Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një problematikë nga qyteti i Vlorës, ku një i ri është goditur dhunshëm me çekiç pas koke, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Ngjarja ndodhi në datën 15 gusht të vitit 2025, ku 26-vjeçari është goditur me një mjet të rëndë në kokë. Fillimisht ngjarja është regjistruar me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje dhe më vonë, hetuesi i kanë ndryshuar akuzën, në plagosje e lehtë.
Ka dyshime se, regjistrimi dhe dërgimi me këtë akuzë i dosjes në gjykatë është bërë për t’a mbyllur si procedim penal, duke qenë se qeveria ka kaluar ligjin për “dhënie amnistie” dhe vepra në fjalë, plagosja e lehtë, preket. Një skemë për të pushuar këtë ngjarje, por që mund të ketë pasoja të mëtejshme, duke qenë se autori dhe viktima janë komshinj me njëri – tjetrin.
Në redaksinë e emisionit investigativ Fiks Fare u ankua motra e të plagosurit, e cila tha se shkak i sherrit ka qenë parkimi i mjetit në rrugë, pronë e shtetit dhe jo private.
“Rruga është publike. Nuk është as pronë private e as rrugë private. Vetëm se e la disa minuta sa të shkonim unë dhe motra tjetra dhe do ikte. Lefter dhe Ferdinand Kureta e qëlluan dhe e rrahën. Lefteri e ka qëlluar me çekiç mbrapa kokës. Vëllai im mund të kishte mbetur i vdekur. Aktualisht, ai ka dhimbje të tmerrshme të kokës”– thotë ajo.
Më tej shton se, familja e saj ndihet e pambrojtur si nga prokuroria ashtu edhe nga gjykata.
“Prokuroria s’ka marrë për bazë kërkesën tonë për hetime shtesë dhe shumë gjëra në dosje s’janë të vendosura. Ne kemi pamje filmike. Unë kam qenë një nga të dëmtuarat, babai dhe motra. Nuk jemi fare të cilësuara në dosje. Nuk jemi të përmendura fare, si viktima. Por viktima kryesore e theksoj që është vëllai që ka goditje me të qepura në kokë”- shton ajo, ndërkohë që pohon se autori u ndalua dhe u lirua menjëherë.
“Ai u procedua dhe brenda ditës ka dalë, e kanë nxjerrë në arrest shtëpie. Ai dilte, bënte pazare dhe ne e kemi kallëzuar dhe s’janë marrë fare parasysh nga policia. Tani gjykata e ka cilësuar ngjarjen si plagosje e lehtë me dashje dhe ne s’jemi fare dakord. Dosja ka shkuar në gjykatë dhe ata kanë bërë dhe gjykim të shkurtuar. Nëse prokuroria dhe gjykata të kishin parë pamjet filmike, vepra nuk cilësohet si plagosje e lehtë me dashje por si vrasje në tentativë. Ka pamje filmike, kamera sigurie”– thotë ajo.
Fiksi ka siguruar pamjet e ngjarjes së datës 15 gusht 2025, ku duket i gjithë konflikti, ku personi mban lopatë në dorë.
“Po mos të ishte xhaxheshka ime t’i hiqte lopatën zotërisë, vëllait tim do t’i kishte çarë kokën. Duket qartë se lopatën e ka hequr nusja e xhaxhait tim nga dora zotërisë se do t’ia kishte hapur kokën. Goditje kisha dhe unë, në vetull dhe në gjithë trupin”– shton ajo.
Emisioni investigativ ka siguruar dosjen hetimore, ku shkruhet se “Algent Haruni ka mbetur i dëmtuar nga Lefter dhe Ferdinand Kureta”. Babë e bir u shoqëruan në komisariat, ndërkohë Algenti u shoqërua në Spitalin e Vlorës, për shkak se kishte mbetur i dëmtuar me sende të forta në pjesën e pasme të kokës, konkretisht mbas kokës.
Prokuroria shkruan se, patrulla ka bërë dorëzimin, sekuestrimin dhe këqyrjen e sendit “çekan”, i cili ka rezultuar se është me bisht të kuq e blu dhe ka përbërje kallçuku, ku në bishtin e tij ka mbetje llaçi dhe kole. Ka një gjatësi 36 centimetra. Në pyetje është marrë 26 vjeçari Algent Haruni, i cili ka deklaruar se e kanë qëlluar me sëpatë dhe babë e bir e kanë ndjekur. Më pas e kanë qëlluar edhe me lopatë. Sipas tij, ata kanë qëlluar edhe motrën e tij dhe në dorë kanë pasur çekan.
Akt-akuza përmban disa dëshmi, teksa autori Lefteri ka deklaruar se e ka qëlluar Algentin me një çekan gome në qafë dhe më pas është futur në banesë. Në dosje është vetëm një fjali për pamjet filmike, duke shkruar se “është bërë administrimi i pamjeve filmike të banesës në afërsi të vendit të ngjarjes”. Por, asnjë detaj se çfarë veprimesh kreu autori, çfarë veprimesh kreu djali i tij, apo dëmtimet e anëtarëve të familjes Haruni.
Duke qenë se, goditja ka ardhur me mjet të fortë pas kokës, me të çara të thella, duke i rrezikuar jetën, ngjarja është regjistruar fillimisht “plagosje e rëndë me dashje”. Më pas, prokuroria ka administruar raportin mjeko – ligjor, që përcaktonte dëmtime mbi 9 ditë. Në bazë të raportit, akuza ndryshoi në plagosje e lehtë me dashje.
Hetimet janë bërë me shpejtësi, pa këqyrur më parë filmimet apo për të parë veprimet e autorëve. Ndryshimi i akuzës, nga plagosje e rëndë në plagosje e lehtë, favorizon dukshëm autorin, duke qenë se është miratuar edhe ligji për “dhënie amnistie”. Kjo ngjarje rrezikon të mbyllet pa asnjë të dënuar, teksa konflikti mes dy familjeve është ende i hapur.
“Ne s’po gjejmë zgjidhje në këto institucionet këtu. Ky është një sherr akoma i hapur dhe nuk dihet se si përfundon. Ne me këta jemi ngjitur, portat ngjitur, murin ngjitur. Ne nuk ndihemi të mbrojtur as nga prokuroria e gjykata. Zonja prokurore po t’i kishte parë ato pamje filmike, nuk e di si e trajtojnë në këtë lloj gjendje. Si dhe gjykatësi nuk e di si e mori këtë vendim me gjykim të shkurtuar, kur ne kërkuam gjykim normal”– thotë e motra e të plagosurit.
Ajo dhe familja e saj kanë kërkuar hetime shtesë të shikoheshin dhe pamje filmike.
“Ata s’kanë analizuar pamjet filmike. Te ato pamje duket lopata, sëpata dhe kanë ngritur një pllakë të madhe guri. Më çekiç e kanë qëlluar brenda banesës”- përfundon ajo.
Fiksi bisedoi edhe me babanë e saj, Ali Haruni, i cili shton se edhe ai ka qenë i dëmtuar.
“Djalin e goditën me çekiç gome thonë ata, po ai ishte çekiç hekuri. Se çekiçi i gomës të bën mavi nuk të çan. Djali u ça me të qepura. Në dosje e kanë vendosur çekiç gome. Atë e kapën në qafë dhe kokë. Ai djali s’është përmendur fare. Akuza ka vetëm Lefteri. Duhet të ishin të gjithë. S’janë bërë hetime të plota. I kanë fshehur a ka paguar, se ça ka bërë zotëria e ka bërë të thjeshtë që ai të dalë i pa lagur fare. Atë e mbajtën disa ditë, doli me arrest shtëpie dhe tani detyrim paraqitje”– përfundon ai.




