Një histori e rëndë vjen nga qyteti i Vlorës, ku një grua 50-vjeçare jeton prej vitesh mes dhimbjeve dhe pasojave të një operacioni të kryer rreth 10 vite më parë për heqjen e gurëve në tëmth.
Sot, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa familjarët thonë se ajo nuk po merr trajtimin e duhur mjekësor.
Sipas familjes, pas operacionit kanë nisur komplikacione serioze në zonën e barkut, të cilat me kalimin e kohës janë rënduar. Ata pretendojnë se ndërhyrja fillestare mund të ketë pasur mangësi, ndërsa sot situata është bërë edhe më kritike, pasi pacientja nuk pranohet për një ndërhyrje të re për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Djali i saj tregon me shqetësim se nëna ka përfunduar disa herë në urgjencë, por është trajtuar vetëm me serum dhe është dërguar sërish në shtëpi

“E kam çuar disa herë në urgjencë, por e kthejnë në shtëpi. Gjendja i është përkeqësuar dhe nuk kemi më zgjidhje. Nuk dua që mamaja të më vdesë,” shprehet ai.

Edhe vetë 50-vjeçarja tregon se jeton çdo ditë me dhimbje dhe pasiguri, duke kërkuar vetëm një mundësi për t’u trajtuar.
“Kam dhimbje të forta, më është hapur sërish plaga dhe gjendja po më përkeqësohet. Kam shkuar te mjekët, por më thonë se nuk mund të operohem. Nuk jetohet më kështu,” thotë ajo.

Pas denoncimit, gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan Spitalit Rajonal të Vlorës, ku drejtoria u vu në dijeni të rastit dhe kërkoi që pacientja të paraqitej urgjentisht në spital. Menjëherë u vendos në dispozicion edhe një ambulancë, e cila e transportoi zonjën nga banesa drejt spitalit për ekzaminime të mëtejshme.

Familjarët konfirmuan më pas se ajo u shtrua për kontrolle mjekësore dhe vlerësim të gjendjes, ndërsa shpresojnë që më në fund të gjendet një zgjidhje për problemin e saj shëndetësor.
