Në Fshat i Ri, një histori e dhimbshme vjen në dritë, ku një e moshuar 80-vjeçare jeton e vetme dhe në kushte të rënda mjerimi.

Prendë Marinaj prej vitesh përballet me probleme serioze shëndetësore. Pas një aksidenti cerebro-vaskular, ajo ka mbetur e paralizuar dhe prej dy vitesh nuk mund të lëvizë nga dhoma e saj. E vetme, pa fëmijë dhe pa përkujdesje të vazhdueshme, ajo mbijeton falë ndihmës sporadike të fqinjëve.

“Kam dy vjet që nuk dal nga kjo dhomë… nëse më digjet shtëpia, digjem brenda,” shprehet mes lotësh e moshuara, duke treguar gjendjen e saj të rënduar fizike dhe emocionale për Fiks Fare.

E vetmja kërkesë e saj ka qenë të strehohet në një azil, por për muaj të tërë ajo ka marrë vetëm përgjigje se “nuk ka vende”. Edhe pse rasti është raportuar dhe ndjekur nga institucionet, zgjidhja ka ardhur me vonesë.

Në Bashkia Vau i Dejës pranojnë se gjendja e saj është e papërshtatshme për jetesë dhe se dosja është dërguar që në janar pranë Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shkodër. Megjithatë, mungesa e kapaciteteve dhe procedurat burokratike kanë bërë që rasti të mbetet pezull për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të shërbimit social në Shkodër konfirmojnë se rasti është trajtuar si emergjent, por për shkak të numrit të lartë të kërkesave dhe kapaciteteve të kufizuara, procesi ka kërkuar kohë. Pas ndërhyrjes dhe ndjekjes së rastit nga Fiks Fare, më në fund vjen një lajm i mirë ku 80-vjeçarja është sistemuar në një azil në Shkodër.

“Jam e gëzuar që kam ardhur këtu… faleminderit prej jush,” shprehet ajo me emocion, pas një pritjeje të gjatë dhe të vështirë.

Një histori që nxjerr në pah jo vetëm dramën njerëzore, por edhe problemet me sistemin e shërbimeve sociale, ku rastet urgjente shpesh mbeten në pritje për shkak të mungesës së kapaciteteve.