Përmbytjet e muajit janar në lagjen 14 të Shkozetit, në Durrës, nuk lanë pas vetëm dëme materiale, por edhe drama njerëzore të rënda. Një prej tyre është historia e Fatmira Mehmetit, 55 vjeçe, e verbër dhe invalide e grupit të parë, e cila u përball me tmerrin e ujit që pushtoi banesën e saj brenda pak minutash.

Fatmira jetonte e vetme kur stuhia dhe vërshimi i ujit shkatërruan gjithçka.

“Uji hyri me vrull në shtëpi dhe çdo gjë doli jashtë funksioni. Në ato çaste mendova se jeta ime ishte në rrezik,” rrëfen ajo.

Vetëm ndërhyrja e vëllait dhe disa të afërmve bëri të mundur nxjerrjen e saj nga banesa.

Sot, shtëpia e Fatmirës është e pabanueshme. Ajo nuk ka më as dritare dhe as çati, ndërsa dëmet janë totale. Për këtë arsye, 55-vjeçarja është detyruar të largohet dhe aktualisht jeton me qira, duke paguar 200 mijë lekë të vjetra në muaj. Përveç qirasë, ajo përballon edhe shpenzime të tjera, pasi paguan 150 mijë lekë të vjetra për kujdestaren që i shkon tre herë në ditë për ta ndihmuar. Megjithëse ndodhet në kushte të vështira dhe jeton e vetme, Fatmira thotë se deri më sot nuk ka marrë asnjë ndihmë konkrete për të përballuar pasojat e përmbytjeve.

Fiks Fare u interesua për problemin e zonjës Mehmetit pranë Bashkisë së Durrësit, për të mësuar nëse kishte marrë ndonjë masë për strehimin e saj. Në lidhje me këtë situatë, Bashkia e Durrësit bëri me dije se grupet e punës kanë qenë në terren dhe kanë hartuar akt-konstatimet e dëmeve pas përmbytjes së 6 janarit 2026.

Sipas bashkisë, janë rreth 2500 familje në territorin e saj që janë prekur nga përmbytjet e fundit, por ende nuk është miratuar fondi për dëmshpërblim apo bonus qiraje. Në përgjigjen e saj për emisionin Fiks Fare, bashkia, duke iu referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 329, datë 16.05.2012, sqaron se pas përfundimit të vlerësimit në terren do të vijojë procesi i llogaritjes së dëmeve në vlerë monetare.

Pas interesimit të vazhdueshëm të emisionit, Bashkia e Durrësit ka konfirmuar se do të ndërmarrë hapa konkretë për trajtimin e kësaj situate. Sipas bashkisë, do të ngrihet një grup pune i përbërë nga punonjës të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale dhe inxhinierë, të cilët do të shkojnë në banesën e zonjës Mehmetit për të konstatuar nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

Më pas, bashkia merr përsipër të ndërhyjë për riparimin e shtëpisë dhe për zëvendësimin e pajisjeve elektroshtëpiake dhe orendive që u dëmtuan. Gjithashtu, bashkia sqaron se për këtë ndërhyrje do të shfrytëzohen donacionet nga Katari dhe Kina, të destinuara për familjet e prekura nga përmbytjet e fundit.