Një qytetare nga Tirana denoncon një rast të pazakontë që, sipas saj, i ka kushtuar familjes humbjen e një pjese të pronës.

Prej më shumë se një dekade, ajo endet nëpër institucione pa arritur të rikthejë rreth 100 metra katrorë truall, të cilat rezultojnë të “zhdukura” në dokumentacionin zyrtar. Rudina Bylyku tregon se gjithçka nisi pasi pronat ngjitur me atë të gjyshit të saj u shitën tek një person i tretë. Bëhet fjalë për dy pasuri, njëra në pronësi të djalit dhe tjetra të vëllait të gjyshit. Pas blerjes, pronari i ri kërkoi bashkimin e tyre në një të vetme, por duke mos e realizuar administrativisht, iu drejtua gjykatës.

Gjykata caktoi një ekspert topograf për të saktësuar kufijtë e pronave dhe për të përcaktuar pjesën e mbetur në pronësi të familjes së Rudinës. Por pikërisht në këtë fazë, sipas denoncimit, ndodhi edhe problemi.

Në aktin e ekspertimit, eksperti e njeh pronarin Ganiu si kufitar në lindje, por në skicën shoqëruese, prona e tij nuk pasqyrohet fare. Ky kontrast mes përshkrimit dhe hartës, sipas qytetares, ka bërë që institucioni i kadastrës të mos e njohë më këtë pronë, duke e kaluar atë në emër të personit që kishte blerë pronat kufitare.

“Kam 10 vite që nuk gjej zgjidhje”, shprehet ajo, duke shtuar se çdo përpjekje për të sqaruar situatën ka hasur në pengesa dhe përgjigje të paqarta nga institucionet përgjegjëse.

Në përballjen me ekspertin, ky i fundit fillimisht ka deklaruar se mund të bëhet fjalë për një “lapsus”, ndërsa më pas është shprehur se nuk mban mend çfarë ka ndodhur dhe se nuk disponon më dokumentacionin përkatës. Në të njëjtën kohë, përgjegjësia, sipas tij, bie edhe mbi institucionin e hipotekës që ka pranuar dokumentin.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e ekspertit, e cila ushtron profesionin e avokates, ka pranuar se mund të ketë pasur një gabim në akt, por ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si ky dokument është pranuar nga institucionet. Ajo i ka sugjeruar qytetares të riaplikojë për të korrigjuar situatën.

Megjithatë, në një takim të dytë, qëndrimi i ekspertit ndryshon, duke mohuar se kemi të bëjmë me një gabim të tij. Ndërkohë, bashkëshortja e tij kërkon që çështja të mos bëhet publike, duke u shprehur:

“S’keni pse na nxirrni në televizor, hajde ta zgjidhim problemin”.

Sot, pas 10 vitesh, qytetarja vijon të kërkojë rikthimin e pronës së saj, ndërsa rasti ngre pikëpyetje serioze mbi saktësinë e ekspertimeve dhe përgjegjësinë e institucioneve në trajtimin e dokumentacionit pronësor.