Një rast i rëndë dhune ndaj një fëmije me nevoja të veçanta ka nxitur reagimin e institucioneve, pas publikimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Ngjarja, e bërë publike rreth një muaj më parë, solli pamje tronditëse ku nëna ushtronte dhunë fizike ndaj djalit të saj, i diagnostikuar në spektrin autik, madje edhe në mes të rrugës.

Fillimisht, denoncimet për këtë situatë u bënë nga fqinjët e familjes, të cilët kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për largimin e fëmijës nga ambienti ku jetonte vetëm me nënën. Sipas tyre, gruaja kishte probleme të shëndetit mendor dhe nuk ishte në gjendje të kujdesej për fëmijën.
Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve të ngritura, institucionet nuk ndërhynë menjëherë. Sipas dëshmive, qytetarëve u është kërkuar një listë e gjatë dokumentesh për të vijuar procedurat, ndërsa nëna konsiderohej ligjërisht përgjegjëse për kujdesin ndaj fëmijës.

Pas transmetimit të rastit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reagoi, duke angazhuar shërbimet sociale në terren. Një ditë pas publikimit, specialistët kanë shkuar në banesën e familjes për të bërë një rivlerësim të gjendjes sociale-ekonomike dhe psikologjike. Nga ky vlerësim rezultoi se familja jeton në kushte të vështira ekonomike, ndërsa nëna paraqitet në gjendje të rënduar psikologjike.

Pas një komunikimi të gjatë me grupin e punës dhe administratorin shoqëror të Bashkisë Tiranë, ajo ka dhënë pëlqimin që djali i saj të vendoset në një qendër rezidenciale për persona me aftësi të kufizuara.nNdërkohë, Drejtoria e Shërbimit Social ka bërë me dije se kanë nisur procedurat për sistemimin e fëmijës në një qendër zhvillimi, ku ai do të marrë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm.

Rasti nxori në pah edhe kushtet e rënda në të cilat jetonte familja. Banesa ishte e dëmtuar dhe e pabanueshme, ndërsa situata sociale konsiderohej kritike. Për këtë arsye, pesë drejtorë të Bashkisë Tiranë janë angazhuar për vlerësimin e plotë të kushteve të jetesës.

Banesa është klasifikuar në kategorinë DS5, pjesë e programit të rindërtimit, dhe autoritetet kanë vendosur që familjes t’i sigurohet një banesë sociale.nDeri në rikonstruksionin e plotë, nëna dhe fëmija do të përfitojnë mbështetje të përkohshme, si dhe shërbime psiko-sociale nga qendrat komunitare.
