Askush nuk mendonte se kjo godinë e vjetër që në kohë të monizimit ka qenë “Shkolla e Rezervës” sot pa frikë do quhej “Prona e Gjakut”, pasi në një vend ku drejtësia duhet të jetë mburojë, ajo u kthye vetë në viktimë.
Ky truall prej 4 mijë metrash katrorë dhe kjo godinë e amortizuar u shndërrua në një fushëbetejë që zgjati më shumë se tri dekada.
Në fund të viteve ’80, godina që sot është në qendër të konfliktit ishte pronë shtetërore, ish “Shkolla e Rezervës” në Shkodër. Pas rënies së komunizmit, Bashkia strehoi aty 31 familje të pastreha “përkohësisht”, por ajo përkohshmëri u kthye në përhershmëri. Shtëpi që u ndërtuan me duar, u përshtatën, u legalizuan në mendjen e banorëve, por jo në letra.
Në vitin 1996, Komisioni i Kthimit të Pronave vendosi që trualli i takonte familjes Shkambi, sipas dokumenteve të para ’45-ës. Një vendim i drejtë në letër, por i verbër në realitet. Askush nuk mendoi për 31 familjet që jetonin aty. Shteti vulosi një vendim dhe u zhduk. Pra, në rastin konkret, bashkia e Shkodrës ndezi fitilin. Nuk i dha asnjë zgjidhje 31 familjeve që kishin zhvilluar pronën dhe nisën kalvarin e gjyqeve.
‘Nuk mund të tjetërsohet prona, në Shqipëri ka ndodhur çdo fenomen i mundshëm me pronën është bërë ca ka dashur qejfi dikush’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
Në vitin 2002, ndodh absurdi shqiptar: për të njëjtën pronë, dalin dy vendime gjykatash të kundërta. Njëra i njeh banorët si posedues të ligjshëm, tjetra i shpall uzurpatorë. Një vendim thotë “e drejta është me ta”, tjetri “duhet të dalin jashtë”. Dhe kur ligji flet me dy zëra, fiton kaosi.
“Kam ardhur në 1996, ia kam blerë shtëpinë Gjon Shkambit me lekë në dorë dhe me dokumenta. Në 2012 u kujtua se është pronar dhe e bleu. Tani nuk ka as faj, pasi ka dhënë lekët dhe nuk ka marrë rezultat, pasi duhet t’ia jepte Lorenc Luka pronën që bleu. Nëse ai nxjerr një vendim gjykate me emrat tanë që duhet të lirojmë banesën, ne e lirojmë”, thotë një prej banorëve të strehuar në godinën në konflikt’ u shpreh
“Kemi që në 1992 që jemi këtu. Ka qenë e pabanueshme, por kemi futur shumë lekë dhe tani jetohet. Nuk mund të tallen me ne. Kemi pasur përplasje sic e dini. Gjon Shkambi është kujtuar pas 20 vitesh që është pronar”, deklaron njw tjetwr banore.
“Ne na ka shitur shteti në 2012. Lorenc Luka, ka thënë dilni pa asnjë zgjidhje. Kur e kemi pyetur na ka thënë që të vrasim veten”, thotw banori I godinws qw pretendohet nga familja Shkambi.
Në 2010, Apeli i Shkodrës vendosi që prona t’i kthehej familjes Shkambi. Por vendimi mbeti në letër. Përmbarimi nuk veproi, policia heshti, bashkia shmangu përgjegjësinë. Në 2012, Ministria e Financave ua shiti godinën familjes Shkambi përmes të drejtës së parablerjes, një akt që duhej të mbyllte gjithçka. Por asgjë nuk ndryshoi. Banorët nuk u larguan, duke thënë: “Shteti vetë na futi, shteti tani na përzë.” Pra, shteti krijoi një situatë ku të dyja palët kishin të drejtë duke i zhytur në konflikt.
Vitet kaluan, dhe çështja “Skënderbeg” u bë simbol i drejtësisë që nuk funksionon: vendime që bien ndesh me njëra-tjetrën, institucione që nuk flasin, përmbarues pa mbrojtje, qytetarë që s’besojnë më askënd. Në 2022, përmbarimi tentoi më në fund të zbatojë vendimin për kthimin e pronës te familja Shkambi. Banorët kundërshtuan, shteti heshti…..
Të paktën, deri në tetor 2025, kur çështja mbërriti në Apelin e Tiranës, para trupës së gjyqtarit Astrit Kalaja. Aty ku Elvis Shkambi, 30-vjeçari i përfshirë në proces, hyri në sallë me armë dhe qëlloi mbi gjyqtarin. Një krim që tronditi vendin dhe zbërtheu dështimin e çdo hallke të sistemit.
Një vrasje në gjykatë nuk është thjesht akt i çmendur…..
Është pasojë e një zinxhiri dështimesh: e shtetit që nuk strehoi ata që futi vetë, e gjykatave që flasin me dy zëra, e sigurisë që ekziston vetëm në letra. Gjyqtari Kalaja pagoi me jetë fajin e të tjerëve, në një sistem që nuk mbrojti dot as vetveten.
Rasti “Shkambi” është pasqyra më e qartë e drejtësisë shqiptare: Kur vendimet janë të kundërta, qytetarët nuk presin më drejtësi, presin hakmarrje. Dhe atë ditë, në sallën e Apelit, drejtësia u rrëzua me një plumb.
Ajo që bën përshtypje është fakti se emri i Gjon Shkambit del edhe në konfliktet për pronat në Gjirin e Lalzit. Sipas informacioneve, Gjon Shkambi ka një lidhje të tërthortë me kishën Franceskane në Kepin e Rodonit. Ai ka studiuar për tu bërë prift.
Djali i Gjonit, Marku, po ashtu ka nisur shkollën, por e ka lënë pas një viti. Gjoni dhe Marku, kanë pasur një kompani sigurie. Ata kanë lidhur kontratën për mbrojtjen e territoreve të kishës në Kepin e Rodonit dhe Kishës së Lacit për një vit. Kontrata është lidhur në emrin e Markut, si person fizik. Mendohet se ata mund të kenë përfituar tokë në zonë por kjo është ende e pakonfirmuar.